Sekuestrimi i pasurive të Anton Gjinajt/ “I preferuari i pushtetit të Ramës!”, PD thirrje SPAK: Hetoni lidhjet e tij me PS. Ka marrë mln euro nga tenderat

Mos i humb

Partia Demokratike ka denoncuar sot të arrestuarin për drogë dhe me dy identitete, Anton Gjinajn, të cilit i janë sekuestruar edhe pasuritë.

Sekretarja për Transparencën, Luftën kundër Korrupsionit në PD, Ledina Mandia në një dalje për mediat i bëri thirrje SPAK që hetojë lidhjet e Gjinajt me PS.

Mes këtyre akuzave PD akuzon se Gjinaj ka marrë miliona euro nga tenderat publike.

DEKLARATA E PD
SPAK ka sekuestruar pasuritë e shtetasit Anton Gjinaj, me dyshimin se vjen nga aktivitete kriminale në Shqipëri dhe Spanjë. Anton Gjinaj është vetëm njëri prej emrave të përdorur nga i akuzuari: Kjo, në rrathët koncentrikë të së keqes, ku i bën punët qeveria e Edi Ramës, nuk bën përshtypje. I njohuri si Anton Gjinaj, Pashuk Gjini apo Pashk Rrapi, nuk është një i dyshuar për narkotrafik dosido.

Ai, si shumë të dyshuar apo të provuar të tjerë, është ‘djalë për shpirt’ i pushtetit dhe bashkive socialiste të Edi Ramës. Nga një hulumtim i zyrës së anti-korrupsionit të Partisë Demokratike, na rezulton se firma e këtij individi, “Alessio 2014” ka marrë miliona euro në tendera dhe kontrata.

Ai është sidomos i parapëlqyeri i bashkive socialiste, të njohura si gjeneratorë aferash të dyshimta, dhe të provuara në vjedhje seriale.

Bashkia Tiranë, bashkia Krujë, Bashkia Durrës dhe bashkia Lezhë, në 13 raste i kanë ofruar punë publike “Alessio 2014” dhe pronarit të saj Gjinaj, i dyshuar gjerësisht, edhe para urdhrit të SPAK, për pëfshirje në aktivitete të paligjshme.

Që nga ndërtimi i varrezave, asfaltimi i rrugëve, shembja e shtëpive të tërmetit, ndërtimi i qendrave komunitare, e me radhë, firma e Antonit me tre emra ka qenë e zgjedhura e të ngjashmëve të tij në krye të bashkive të PS.

Partia Demokratike, duke përshëndetur SPAK për sekuestron, i bën thirrje të fusë në fokus të hetimit edhe tenderat dhe kontratat e Anton Gjinajt. Hetimi i aktivitetit të paligjshëm të narkotrafikut është vetëm njëra anë e historisë së këtij individi.

Aksesi në zyrat e shtetit, miliona euro të lëvruara në favor të firmës së tij, duhet të ngrenë, gjithashtu, dyshime dhe padi. Me këtë martesë të padenjë të shtetit dhe krimit, Shqipëria është në rrezik.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit