Sekuestrohen armë zjarri, drogë, fara kanabis dhe para CASH, arrestohen 4 të rinj në Fier e Lushnjë

Mos i humb

Katër persona janë arrestuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë Fier pas kontrolleve intensive për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve goditet një rast i armëmbajtjes pa leje, një rast në fushën e narkotikëve, kapet një shtetas i shpallur në kërkim për disa vepra penale, si edhe kapet në kohë rekord një shtetas, pasi i vodhi një shumë të konsiderueshme parash një qytetari. Sekuestrohen armë zjarri, drogë, fara kanabis dhe shuma parash.

Në zbatim të Planit të Masave “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve të veprave penale, personave që mbajnë armë zjarri pa leje dhe personave në kërkim”, gjatë kontrolleve të ushtruara nga strukturat e DVP Fier janë goditur këto raste:

Në Lushnjë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Kongresi”, një shtetas i kishte marrë çantën me para shtetasit Ç. S. dhe ishte larguar, menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe si rezultat i vlerësimit maksimal dhe angazhimit profesional u bë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur, duke vënë para përgjegjësisë penale autorin e dyshuar. Shtetasi Fation Blliku, 29 vjeç, banues në Lushnjë, u kap gjatë ndjekjes nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, së bashku me shumën e parave të vjedhura.

Po nga këto struktura u kap shtetasi i shpallur në kërkim Gabriel Marra, 21 vjeç, banues në Kuçovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 13.12.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kanosja”, “Heqja e paligjshme e lirisë” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtje pa leje”. Gjatë kontrollit fizik, 21-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan fara cannabis sativa.

Në Fier, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte armë zjarri pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier lokalizuan personin dhe ushtruan kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike cannabis sativa në proces tharjeje dhe një armë zjarri, të cilën ky shtetas e kishte fshehur në oborrin e banesës.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Elidon Myftari, 29 vjeç, banues në Vlosh, Roskovec.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Kurjan, Roskovec, u godit një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë shtetasin Adimir Çobo, 26 vjeç, pasi në banesën e tij u gjetën të kultivuar fidanë kanabis.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit