Sentop: Turqia së shpejti do të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e RMV-së në NATO

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, tha se Protokolli për Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO aktualisht është në agjendën e Parlamentit turk dhe së shpejti do të ratifikohet.

Nën kujdesin e kryeparlamentarit turk Şentop, sot në Shkup u bë hapja e Kongresit të Pestë Shkencor Ndërkombëtar.

Në hapjen e kongresit të realizuar në mikpritje të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) me mbështetje të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, krahas Şentop, morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Parlamentit të Qipros Turke, Zorlu Töre, ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yağcılar, kryekëshilltari i Kuvendit të Turqisë, Necip Fazıl Kurt, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar të tjerë.

“Dua t’jua përcjell përshendetjet e gjithë Turqisë, zemra e së cilës rrah së bashku me ju, dhe të presidentit Recep Tayyip Erdoğan”, tha Şentop në fjalën e tij.

Şentop tha se vlerat historike dhe kombëtare nuk duhet të shërbejnë si frymëzim për të dobësuar poshtëruar kombet e tjera dhe shtoi se e kaluara e përbashkët duhet të jetë shkaktar i takimeve dhe jo grindjeve.

“Nëse shikojmë miqësinë dhe bashkëpunimin midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ne shohim me kënaqësi se kjo gjë është realizuar. Si pjesë e kësaj miqësie, Turqia ka shprehur mbështetje për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO”, tha kryeparlamentari turk.

“Ky rregullim (protokolli) aktualisht është në agjendën e Kuvendit dhe së shpejti do të përfundohet dhe ratifikohet me vendim të Parlamentit”, shtoi Şentop.

Më tej në fjalën e tij, Şentop tha se Turqia krenohet që është vendi i një populli që asnjëherë nuk ka larguar qëndrimet humane ndaj popujve të cilët kanë bashkëjetuar në periudha të ndryshme historike dhe nuk ka bërë persekutime ndaj popujve me të cilat ka jetuar së bashku.

“Ne jemi të sigurtë në veten dhe historinë tonë pa pranuar as edhe një lakim më të vogël. Fatkeqësisht, ndonjëherë shohim se si zyrtarë të vendeve të ndryshme bien në gabim duke thënë se Turqia ka pasur tirani ose gjenocid në të kaluarën. Ne i refuzojmë këto pretendime rreptësisht dhe ata që i bëjnë këto pretendime nuk janë miq të Turqisë. Ata që duan të jenë miq të Turqisë, nuk mund ta artikulojnë këtë pretendim”, tha Şentop, duke thënë se shtetet që kohë pas kohe i bëjnë këto pretendime kanë periudha apo ngjarje problematike në të kaluarën e afërt apo të largët.

Ndërkohë, ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, tha se midis shteteve dhe popujve të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut ekzistojnë miqësi e fortë dhe lidhje vëllazërore që datojnë nga e kaluara.

“Ajo ka qenë pranë nesh në qëllimet tona strategjike dhe nuk e ka kursyer mbështetjen e saj në të gjitha fushat, përfshirë politikën, diplomacinë, ekonominë, mbrojtjen, kulturën dhe ndihmën humanitare”, tha Ismaili, duke shtuar se një nga shembujt më të rëndësishëm të lidhjeve të fuqishme midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë është prania Ambasadës së Turqisë në Shkup, TIKA-s, Insitutit Yunus Emre, Anadolu Agency, TRT-së dhe shumë isntitucioneve të tjera turke dhe kontributi i tyre në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ai theksoi se IBU është një nga investimet më të rëndësishme të Turqisë në Maqedoninë e Veriut dhe paraqet urë jashtëzakonisht të rëndësishme për marrëdhëniet e Turqisë me rajonin e Ballkanit dhe në veçanti Maqedoninë e Veriut.

“IBU, qendër shkencore e një gjeografie të gjerë”

Ndërkohë, ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, tha se IBU është manifestim konkret i pikës ku ka arritur miqësia e thellë midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe jep kontribute për arritjen e qëllimt të edukimit të brezave të arsimuar në këtë vend dhe mundësimin e një shoqërie më të prosperuar, por në të njëjtën kohë inkuadron edhe bashkëpunimin në fushën e arsimit në raportet solide midis dy vendeve.

Po ashtu, kryetari i këshillit drejtues të IBU-së, Ajdoan Ademoski, tha se dita e sotme është ditë e rëndësishme për IBU-në dhe se në kongres, ku do të ketë 500 pjesëmarrës, do të bisedohen tema me interes botëror.

“Sot IBU edhe një herë dëshmoi se është qendër arsimore jo vetëm e Maqedonisë së Veriut, por e një gjeografie më të gjerë”, tha ai.

Në kuadër të programit, me fjalime u drejtuan edhe zv/kryeparlamentari i Qipros Turke Töre dhe rektori i universitetit Mehmet Dursun Erdem.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit