Ushtria e Serbisë do të angazhohet në sigurinë dhe kontrollin e objekteve publike në territorin e Serbisë për shkak të koronavirusit të ri (Covid-19).
Siç njofton Ministria serbe e Mbrojtjes ushtria do të angazhohet në sigurimin e spitaleve ku bëhet kontrolli i të infektuarve potencial me koronavirus dhe trajtimi i personave të sëmurë si dhe në vendkalimet kufitare me qëllim të ndihmës së autoriteteve shtetërore kompetente në kontrollin e vendkalimit kufitar.
Pjesëtarët e Forcave të Armatosura Serbe gjithashtu do të angazhohen në lokacione ku vlerësohet se ka lëvizje të rritur të qytetarëve gjatë aktiviteteve të rregullta në këto vende, të tilla si stacionet e autobusëve dhe trenave, aeroportet, zyrat postare dhe objektet e ngjashme.
Në kryerjen e të gjitha detyrave të saj, ushtria do të marrë të gjitha masat e mbrojtjes për të parandaluar përhapjen e Covid-19 në përputhje me rekomandimet e shërbimeve kompetente.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë të gjitha detyrat që merr për të mbrojtur shtetin dhe qytetarët në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në vend”, thuhet në njoftim.


