Serbia po e mban veriun e Kosovës si një “bombë të kurdisur”

Mos i humb

Siguria në tërë Kosovën, e në veçanti në pjesën veriore, po cilësohet e ndjeshme pas incidenteve të njëpasnjëshme që u shënuan në dy muajt e fundit.

Njohës të rrethanave të sigurisë në vend theksojnë se institucionet e Kosovës po përballen me sfida për garantimin e sigurisë sidomos në veri të Mitrovicës, megjithëse po mundohen që gjendjen ta kenë nën kontroll.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka deklaruar se veriu i Kosovës është bombë e kurdisur nga ana e Qeverisë së Serbisë.

“Kemi theksuar vazhdimisht se edhe në të kaluarën por edhe sot, veriu i Kosovës apo më konkretisht Mitrovica e Veriut është bombë e kurdisur nga ana e Qeverisë së Serbisë së bashku me grupet e organizuara në veri të Mitrovicës. Sa herë që u nevojitet atyre, qoftë për qëllime të brendshme apo edhe në rrafshin ndërkombëtar, e destabilizojnë veriun e Mitrovicës”, thotë Islami për AktivPress.

Ai më tej shton se zhvillime të tilla po i vendosin në pozitë jo të favorshme institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq për Burim Ramadanin, njohës të këtyre rrethanave, gjendja e sigurisë në veri të vendit është nën kontroll të institucioneve, ndonëse edhe ai, vlerëson se në përgjithësi situata në tërë Kosovën është e ndjeshme.

Ramadani konsideron se incidentet në veri të Kosovës po bëhen për motive politike nga ana serbe.

“Siguria në tërë Kosovën dhe në veri në veçanti vazhdon të jetë e ndjeshme, por nën kontroll të institucioneve. Nuk shoh indikacione serioze të çrregullimeve të sigurisë. Institucionet e sigurisë vazhdimisht duhet të kenë kujdesin e shtuar, megjithëse rastet e izoluara sikur këto në veri nuk paraqesin sfidë për sigurinë. Pra, nuk shoh sfidim të sigurisë në Kosovë, por raste të izoluara që kanë mesazhe politike”, deklaroi ai.

Veriu i Kosovës ka qenë pre e disa sulmeve që ndodhën veçanërisht ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të FSK-së dhe agjentëve të AKI-së.

Dy muaj më parë, në Zubin Potok ishte sulmuar një patrollë e Policisë së Kosovës, ndërkaq në nëntor të këtij viti shtëpitë e pjesëtarëve të komunitetit serb të FSK-u sulmuan me mjete shpërthyese.

Duke mos mjaftuar këto zhvillime, në veri të vendit, dy ditë më parë u sulmua me mjete të forta një lokal në të cilin po qëndronte ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Ndërkohë, sipas Avni Islamit, veriu i Mitrovicës po shfrytëzohet për qëllime të brendshme politike të “grupeve të organizuara kriminale me direktiva të Serbisë” dhe po ndikon në destabilizim të gjendjes në tërë Kosovën.

“Kjo është një alarm jo i mirë për institucionet e Kosovës, sepse me gjithë përkushtimin dhe punën që është duke e bërë në veri të Kosovës ende mbetet shumë punë për tu bërë që autoritetet e sigurisë së Kosovës, ta shtrojnë sovranitetin dhe ta kenë në kontroll atë pjesë”, vlerëson ai.

Ndërkaq, sipas Burim Ramadanit rëndësi për sigurinë në veri ka edhe prezenca e KFOR-it.

“Në komunat në veri të Kosovës, institucionet e sigurisë janë prezente dhe kryejnë detyrat e tyre. Sidoqoftë, prezenca e KFOR-it është po ashtu një garanci shtesë për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës”, theksoi njohësi i sigurisë.

AktivPress ka kontaktuar përmes postës elektronike edhe Policinë e Kosovës, lidhur me rastet specifike dhe për gjendjen e tërësishme të sigurisë në veri të vendit, por që PK-ja nuk ka dhënë asnjë përgjigje./Mesazhi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit