
Një konsorcium i përbërë nga admiralë, gjeneralë, ambasadorë dhe drejtues të lartë të pensionuar të qeverisë së SHBA-ve shprehën shqetësim të thellë për shkak të përshkallëzimit aktual me Iranin.
“Një luftë me Iranin, qoftë me zgjedhje apo llogaritje të gabuar, do të prodhonte pasoja dramatike në Lindjen e Mesme tashmë të destabilizuar”, tha grupi në një letër drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump.
E nënshkruar nga 76 persona, letra u shpall nga faqja “Lufta në Shkëmbinj”.
Ajo erdhi disa orë para njoftimit të presidentit Trump se 1.500 trupa shtesë amerikane do të dërgohen në Lindjen e Mesme mes tensioneve të larta midis Teheranit dhe Washingtonit.
Letra paralajmëroi se “një luftë do t’i tërhiqte SHBA-të në një tjetër konflikt të armatosur me një kosto të madhe financiare, njerëzore dhe gjeopolitike”.
Në letër theksohet se mungesa e komunikimit të drejtpërdrejt midis udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të të dy vendeve vetëm rrit mundësinë e një llogaritjeje të gabuar që do të rezultonte në konflikte të paqëllimshme ushtarake.
Nënshkruesit e letrës kërkuan nga presidenti Trump që menjëherë të reduktojë nivelet e rrezikshme të tensionit rajonal.
“Masat e de-përshkallëzimit të krizës duhet të krijohen me udhëheqjen iraniane në nivelet e larta të qeverisë si fillim për diplomacinë eksploruese për çështjet me interes të përbashkët”, thuhet në letër.
Më herët këtë muaj, SHBA-të dërguan në Lindjen e Mesme një grup ushtarak dhe një grup aeroplanmbajtës, duke cituar një “kërcënim të besueshëm” nga Teherani.
Administrata e Trumpit e emëroi trupin e Gardës Revolucionare Islamike, një degë e forcave të armatosura të Iranit, si një grup terrorist. Në përgjigje, Irani emëroi Komandën Qendrore të SHBA-ve si një grup terrorist, duke krijuar potencialin për një përplasje mes dy palëve në Lindjen e Mesme.


