
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë kërkuan sërish Kosovës që të pezullojë taksën 100% ndaj mallrave serbe, në mënyrë që t’i hapet rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
SHBA’të kanë treguar se çështja për pezullimin e taksës është shumë serioze dhe qëndrimi i tyre lidhet direkt me marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara vazhdimisht e kanë ngritur çështjen e tarifave dhe nevojën e pezullimit të tyre. Udhëheqësit e Kosovës e kanë të qartë seriozitetin e qëndrimit tonë dhe sfidat që paraqesin tarifat për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
Kosova dhe Serbia, thekson më tej zyrtari i lartë, duhet të ndërmarrin veprime dhe vendime të vështira, por të nevojshme, t’u japin përparësi bisedimeve dhe të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre”, thuhet në deklaratë që ka siguruar Zëri i Amerikës (VOA).
Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave, ndërsa javën e kaluar këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump, John Bolton, bisedoi në telefon me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj në lidhje me pezullimin e taksës dhe fillim e dialogut me Serbinë.
Kërkesa amerikane për pezullimin e tarifave, ka shkaktuar mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ngul këmbë që tarifat të mbahen deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.


