
Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë miratuar shitjen e pajisjeve ushtarake Tajvanit me vlerë 330 milionë dollarë, e cila është kundërshtuar në mënyrë të ashpër nga Kina.
Zyrtarët e Pentagonit konfirmuan se bëhet fjalë për shitjen e pjesëve rezervë për avionët luftarak F-16.
Njoftimi thotë se kontingjenti i ri i pajisjeve ushtarake do të forcojë aftësitë mbrojtëse të Tajvanit dhe nuk do të rrezikojë balancën e forcave ushtarake në Azi.
Në fillim të gushtit, Senati i SHBA-së miratoi një dokument që parashikon intensifikimin e bashkëpunimit SHBA-Tajvan në sektorët ushtarakë dhe civilë, si shpeshtimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake në rajon.
– Kina kundërshton ashpër shitjen e armëve amerikane Tajvanit
Autoritetet e Kinës në mënyrën më të ashpër kanë dënuar vendimin e autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për shitjen e pajisjeve ushtarake Tajvanit.
“Kina shpreh pakënaqësi për vendimin amerikan dhe absolutisht jemi kundër kësaj”, porositi sot në mëngjes zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Ging Shuang.
Ai theksoi se shitja e armëve amerikane për Tajvanin është në kundërshtim me normat ligjore ndërkombëtare, ai tha se njëherit kjo është edhe sulm i ashpër ndaj sovranitetit, tërësisë territoriale dhe sigurisë kombëtare të Kinës.
Pekini zyrtar i bëri thirrje Washington-it që të heqin dorë nga plani kontestues dhe të ndërprejnë bashkëpunimin me Tajvanin në frymën e marrëveshjeve ekzistuese bilaterale.
“Tajvani është një pjesë e pandashme e Kinës dhe askush nuk mund të komprometojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës Popullore”, tha Ging.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin zyrtarisht Republikën Popullore të Kinës si bartësin e vetëm të sovranitetit në territorin e saj, duke përfshirë dhe Tajvanin, por gjithashtu mban marrëdhënie joformale me autoritetet e Tajvanit. Autoritetet e Tajvanit nga SHBA blejnë armë dhe pajisje ushtarake çdo vit./Rtv Islam/


