
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo njoftoi se ndaj katër komandantëve të lartë të ushtrisë së Mianmarit kanë vendosur ndalim për hyrje në Shtetet e Bashkuara për përfshirje në krimet kundër myslimanëve të Arakanit.
Pompeo, në deklaratën e tij ka theksuar se kanë zbatuar sanksione personale për katër ushtarakë të cilët janë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mianmarit Min Aung Hlaing, zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm Soe Win, gjeneral brigade Than Oo dhe gjeneral brigade Aung Aung.
Pompeo theksoi se ka informacione të besueshme se këta emra janë të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ndër të tjera duke bërë të ditur se përveç këtyre emrave janë vendosur ndalim i hyrjes në SHBA edhe për anëtarët e tyre të familjes, Pompeo vlerësoi se “Departamenti Amerikan i Shtetit fokusohet në politikat që do të ndryshojnë sjelljen dhe rritjen e llogaridhënies. Ne besojmë se ky vendim është një hap drejt arritjes së këtyre qëllimeve”.
Nga ana tjetër, pasi tha se Shtetet e Bashkuara janë shteti i parë që kanë vepruar hapur në këtë çështje Pompeo shtoi më tej “Ne jemi të shqetësuar se qeveria e Mianmarit nuk ka marrë asnjë hap për të bërë përgjegjës ata që kanë kryer këto shkelje, ndërkohë që raportet për shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjithë vendin vazhdojnë të arrijnë”.
– Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe muslimanëve, ku si pasojë e ngjarjeve mijëra persona, nga të cilët shumica muslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.
Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga 25 gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 745 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë vërtetuar se qindra fshatra janë shkatërruar.
Organizatat ndërkombëtare dhe ato të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid”.
Qeveria e Mianmarit, e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më tani nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë lidhur me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.
Organizatat e të drejtave të njeriut, në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit pa sigurimin e ambientit të përshtatshëm dhe të sigurt, shprehin shqetësimin se kjo do të shkaktojë një fushatë të re të spastrimit etnik.


