“Shembulli me Slloveninë, treguesi më i mirë i suksesit edhe për ne”

Mos i humb

Maqedonia dhe Sllovenia janë vende të cilat kanë bashkëpunim të shkëlqyer, ndërsa në mbrojtje Maqedonia ka përfituar dhe ka përdorur shumë mbështetjen e madhe që ka ofruar Sllovenia gjatë kësaj periudhe, tha sot ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, pas takimit me ministren e Mbrojtjes të Sllovenisë, Andreja Katiç.

Katiç ndodhet për vizitë në Maqedoni, në kuadër të së cilës u prit nga Shekerinska, me të cilën realizoi takim dypalësh, kurse pastaj edhe takim të delegacioneve të ministrive të Mbrojtjes të të dy vendeve.

Pas takimeve, dy ministret mbajtën një konferencë të përbashkët për media. Shekerinska theksoi se Sllovenia me të gjitha forcat është përpjekur për të ofruar që këtë verë Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim në NATO dhe për këtë shprehu mirënjohje në emër të Qeverisë së Maqedonisë.

Shekerinska tha se me homologen e saj nga Sllovenia sot nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Ky memorandum, siç tha ajo, rregullon stërvitjet e përbashkëta, trajnimet e përbashkët të pjesëtarëve të ushtrive të të dy vendeve, edhe atë me plane vjetore, kujdes mjekësor për ushtarët në të dy palët, financim për trajnimet, aspektet ligjore, mbrojtjen e mjedisit dhe të gjitha elementet e tjera që do të mundësojnë bashkëpunim edhe më të ngushtë në mbrojtje.

“Maqedonia dhe Sllovenia nuk janë vetëm vende miqësore, por edhe vende të ngjashme, si nga aspekti i territorit, ashtu edhe nga popullsia. Që nga momenti i pavarësisë sonë, edhe Maqedonia, edhe Sllovenia kanë zgjedhur të njëjtën rrugë, por fatkeqësisht me shpejtësi të ndryshme. Sllovenia ishte vendi i parë u bë anëtar i NATO-s, e cila e para u anëtarësua në BE, dhe nuk është rastësi që sot Sllovenia ka pagat më të larta mesatare dhe minimale në rajon dhe standardet më të mira në fushat që janë të rëndësishme për qytetarët”, tha Shekerinska.

“Shembulli me Slloveninë është ndoshta treguesi më i mirë i suksesit edhe për ne. Maqedonia e di se kjo është rruga e vërtetë dhe jemi të bindur se më 30 shtator qytetarët do të konfirmojnë në referendum se duan një të ardhme të tillë për veten e tyre, familjet, fëmijët dhe vendin e tyre”, shtoi Shekerinska.

Në anën tjetër, ministrja e Mbrojtjes e Sllovenisë, Andrea Katiç, tha se takimet e nivelit të lartë të mbajtura në të kaluarën tregojnë se Sllovenia dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të shkëlqyera, ndërsa e cilësoi si të mirë bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake mes dy vendeve.

Ajo theksoi se qëllimi i vizitës së sotme është për të forcuar dialogun politik dhe bashkëpunimin në mbrojtje, ndërsa vizita ka për qëllim po ashtu të shfaqet mbështetje për Maqedoninë në rrugën e saj euroatlantike.

Katiç tha se Sllovenia e përshëndet progresin që qeveria maqedonase e ka arritur së fundmi dhe kujdesin që i kushtohet miratimit të reformave të nevojshme.

Sipas saj, fakti që Aleanca një vit pas pranimit të Malit të Zi në radhët e saj mund të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë, është me rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe stabilitetin e tij në të ardhmen.

Siç vuri në dukje ministrja sllovene, me hyrjen në NATO, Maqedonia do të bëhet pjesë e kuadrit të sigurisë të vendeve demokratike dhe të sigurta dhe do të ketë të drejtë të barabartë votimi si shtetet e tjera.

“Prandaj, Sllovenia përshëndet veçanërisht marrëveshjen që Maqedonia e arriti me Greqinë. Sigurisht, ka pasur nevojë për lëshime në të dy anët, por gjuha do të vazhdojë të mbetet maqedonase dhe kombi maqedonas, dhe shpresoj se qytetarët e Maqedonisë do të vendosin në referendum në mënyrë të duhur”, tha Katiç.

Ajo vuri në dukje se të gjithë anëtarët e BE-së besojnë se qeveria maqedonase po zbaton mirë aktivitetet drejt anëtarësimit të saj të ardhshëm në Aleancë.

“Referendumi është institut i rendit demokratik dhe mundëson shprehjen e vullnetit të popullit. Prandaj, është edhe më e rëndësishme që qytetarët e Maqedonisë të marrin pjesë në të dhe të shprehin vullnetin e tyre”, tha ministrja Katiç, duke shtuar se Sllovenia konfirmon mbështetjen për integrimin euroatlantik të Maqedonisë dhe së bashku me shtetet anëtare të NATO-s, shpreson se Maqedonia me sukses do ta kalojë këtë rrugë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit