Sherri për “tepsinë” e Dibrës; divorci PS-PDIU ka nisur në qendër

Mos i humb

Një ditë pas sherrit në Dibër, deputetja e zonës e PDIU nuk pranoi të prononcohet. Marrëdhëniet me socialistët kanë qenë të ngrohta një vit e gjysmë më parë, gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore për Bashkinë e Dibrës, një test i aleancës së re PS-PDIU, përmes të cilës Edi Rama synonte t’i tregonte LSI-së se mund të bënte edhe pa të.

Fitorja e thellë e kandidatit të majtë, Muharrem Rama nuk e lehtësoi bashkëqeverisjen lokale. Një vit më pas, në zgjedhjet parlamentare 2017, PDIU arriti të dërgonte nga kjo zonë një deputete në Kuvend. Bëhet fjalë për Reme Lalën e cila u dha zë pakënaqësive që vlonin në Dibër, që në daljen e saj të parë në foltore.

“Një ose dy ditë në javë shkon kryetari i bashkisë në bashki nga 20 minuta, dhe atëherë pasi të ketë pirë nja 5 dopio raki. Dhe ato pak shkresa që firmosen që janë në interesat e kryetarit e rrethit të ngushtë shoqëror të tij, janë të njollosura me yndyrë qoftesh dhe të lagura nga rakia, sepse firmosen nëpër qepabtore”, deklaronte ajo.

Ishte data 2 nëntor 2017 kur deputetja Lala bëri këto deklarata, që tregojnë se konflikti I fundit në Dibër I ka rrënjët e hershme. Pasi theksoi se kryetari i Bashkisë ka dy farmaci dhe një kazino të paligjshme, deputetja e PDIU-së foli për punësimet, si për të treguar se ku dhemb dhëmbi.

“Z.kryeminister jam në dijeni që po bëhen konkurse për drejtorët që do të emërohen në Dibër. Ky është mashtrim për dibranët, sepse drejtorët janë të paracaktuar. Po deshët ua them që tani emrat, se udhëheqësit politikë që keni ju në Dibër i kanë emëruar drejtorët paraprakisht”, vijonte akuzat deputetja e PDIU-së.

Kryebashkiaku Muharrem Rama replikoi të nesërmen, përmes një postimi në Facebook. E kishte të qartë nga i vinte sulmi.

“Po i përgjigjem shkurt zonjushës Lala, të bijës së Ymer Lalës; nuk duhet të gërrmosh në jetët e të tjerëve, e as të bësh gjykatësen dhe prokuroren. Pastaj të jesh e sigurtë që me të kaluarën dhe të tashmen e larmishme që ka babai yt do dalësh e humbur dhe e dëmtuar, dëm ky që unë personalisht mendoj se je shumë e re për ta merituar”, shkruante Muharrem Rama.

Edhe kryebashkiaku konfirmoi se konflikti në Dibër lidhet me ndarjen e pushtetit, kur i tregoi deputetes si i ka marrë votat.

“Të këshilloj mos të flasësh në emër të së ashtëquajturës Parti tënde, por t’u referohesh gjithmonë votave personale, ashtu si edhe vetë i quajte dhe e di pse, sepse në Dibër, as nuk ka elektorat çam dhe aq më pak votues që të njohin kauzat e shenjta do t’thoja të kësaj partie. Ke të drejtë, Bashkia Dibër nuk funksionon ende ashtu si unë do të doja pasi kemi qenë shumë të ngadaltë në reformën, që duhet të bënim tek administrata që gjetëm, administratë dhe punonjës të futur në punë në këmbim të votës që të bëri ty deputete, por pa kurrfarë kapaciteti profesional”, vijonte kryebashkiaku dibran.

Por burime pranë mazhorancës, që njohin mirë marrëdhënien delikate mes PS dhe PDIU, shpjeguan për Top Channel se tensionet në Dibër janë rezultat i konflikteve politike në qendër.

Të njëjtat burime pohuan se kryesocialisti Rama është i shqetësuar nga fuqizimi politik i drejtuesve lokalë të PDIU në Dibër, duke menduar se kjo mund t’i krijojë probleme në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, kjo marrëdhënie është krisur më shumë kur socialistët pranuan heqjen e mandatit të Aqif Rakipit, ish-deputet I PDIU-së në Elbasan, deri pak më parë një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit.

Top Channel ka mësuar se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PS që u mbajt në fillim të këtij viti, Kryeministri ka pranuar se vendimin për të dërguar Olta Xhaçkën si përgjegjëse politike në Dibër me detyrën për të qetësuar gjakrat, e kishte marrë me kërkesë të drejtuesve lokalë të PDIU-së.

Por burimet ngulin këmbë se konflikti është më i thellë, duke shpjeguar se dhuna dhe gjaku në Dibër ishte vetëm përkthimi lokal i një problemi më të madh në qendër./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit