Shqipëria ka plotësuar plotësisht ose pjesërisht 37 nga 40 rekomandimet e Moneyval, mekanizmi i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Drejtori i Analizës, pranë Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, Artan Shiqerukaj shpjegoi arsyet se pse Shqipëria hyri në listën gri, ku sipas tij, kryesorja lidhet me drejtësinë, ku kërkohet rritje e dënimeve për pastrim të parave nga sistemi gjyqësor dhe rritja në mënyrë domethënëse e konfiskimeve përfundimtare të pasurive të krimit.
“Problemi kryesor kanë qenë rastet e shumta që analizoheshin dhe referoheshin nga ne, apo policia dhe ngërçi i krijuar në nivel prokurorie, me shumë pak raste të çuara për gjykim”, u shpreh ai, gjatë debatit në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku po diskutoheshin ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit”, nismë e deputetit, Klevis Xhoxhi.
Sipas Shiqerukaj, Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve në monitorim me një plan veprimi të caktuar nga Grupi i Shqyrtimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (ICRG) të Task Forcës Financiare të Moneyval-it, (FAFT).
Ai theksoi se nuk ka asnjë pikë të plani të veprimit të ICRG/FAFT, që thekson paaftësinë e DPPP-së, si arsye që Shqipëria ka hyrë në listën gri, siç nuk ka raporti i Moneyval-it ku bazohet edhe inisiativa.
Ai pranoi se futja në listën gri është stresuese për vendin. Por shtoi se kjo ka bërë që organet e zbatimit të ligjit, prokuroria dhe gjykata të jenë më të përgjegjshëm.
“Në nivel statistikor, ne kemi një rritje të paprecedentë të dënimeve, konsfiskimeve dhe sekuestrimeve. Kjo është arsyeja për të cilën edhe në planin e veprimit të ICRG nuk ka asnjë vërejtje më, për këtë çështje, por kuptohet kjo është sfidë që kërkon vazhdimësi”, deklaroi Shiqerukaj.
“Kemi 40 rekomandime për të përmbushur nga Moneyval. 37 janë të përmbushura pjesërisht ose plotësisht, një rekomandim është jo të zbatueshëm për ne dhe për 2 rekomandime po punohet për ti përmbushur”, u shpreh ai.
Shqipëria u fut në listën gri të Moneyval në vitin 2020. Ajo kishte dalë nga kjo listë në vitin 2015.


