5.9 për qind e pacientëve të shtruar në spitalet e Zvicrës kanë marrë ndonjë infeksion gjatë qëndrimit aty. Sipas Zyrës Federale për Shëndetësi (BAG), Zvicra qëndron në mesataren europiane sa u përket infektimit në spitale.
Në spitalet e mëdha ka pasur mesatarisht më shumë raste të infektimit se në spitalet e vogla dhe të mesme, transmeton albinfo.ch. Shkak për këtë është e dhëna se në spitalet e mëdha sipas rregullit, shtrohen pacientë me sëmundje më të rënda. Veç kësaj, në spitalet e mëdha bëhen ndërhyrje operative që përmbajnë më shumë rrezik se ato që bëhen në spitalet e vogla.
Infektimet që merren më së shpeshti në spitale janë infeksionet e plagëve pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Pas tyre vijnë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes dhe ato të rrugëve urinare.
Këto të dhëna janë fituar nga testimi i 96 spitaleve në gjithë Zvicrën./Albinfo.ch/