“Shkollat pa ujë, pa dizinfektues e ngrohje, blejmë gjithçka vetë”, të rinjtë e Kukësit i ankohen Bashës. Kreu i PD: Planin e kemi gati, na duhet ndihma juaj

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me disa të rinj në qytetin e Kukësit. Gjatë bisedës me kryetarin Basha, të rinjtë, kryesisht gjimnazistë dhe studentë treguan vështirësitë me të cilat përballen në shkollimin e tyre. Shumica e tyre treguan se situata ekonomike ka qenë pengesa kryesore në këtë sfidë madhore të të rinjve të qarkut më të varfër të Shqipërisë.

Studente: Unë jam Zarie Hoxha, banuese në fshatin Bicaj, Kukës. Jam studente, viti i parë në Fakultetin e Mjekësisë Dentare. Prindërit, me shumë sakrificë, me borxhe, arritën që të krijojnë një shumë parash që të shkoja në shkollë. Një javë para, që ishte data për të filluar Universiteti, pagova konviktin dhe sekretarja tha që në fundjavë, të nesermen, sill rrobat. Të nesërmen doli lajmërimi që shkolla do mbyllej. Çfarë do bëja unë në Tiranë, e vetme? Dua të di që çfarë do bëhet me Universitetet? A do shkojmë në auditore?

Studenti: Faleminderit Zoti Basha që na mblodhët këtu të na dëgjoni shqetësimet dhe problemet tona. Unë dje isha duke parë disa foto dhe ajo që më bëri përshtypje ishte një foto para 7-8 viteve ishim 12 shokë, dhe kemi mbetur vetëm unë dhe një shok tjetër. Domethënë këta 10 kanë marrë rrugët e kurbetit, ilegalisht janë larguar, disa me borxhe disa me rrezikim, por largohen sepse nuk gjetën një vend pune dhe pas mbarimit të studimeve. Unë kam një pyetje që çfarë programi ka Partia Demokratike, opozita domethënë, për kur një njeri do të marrë një biznes se çfarë do t’i suportohet, çfarë partneriteti do t’i ofrohet?

Lulzim Basha: Në qoftë se biem dakord të marrim dhe disa pyetje dhe tu përgjigjem të gjithave bashkë.

Nxënësja: Një pyetje që unë kisha ishte për higjenën, maskat, uji, disinfektuesit nuk janë në shkolla por që i blejmë ne dhe kjo gjë duhet të mundësohej nga qeveria. Pastaj ishte mësimi online që unë vetë jam pjesëtare e 6 e familjes dhe tre nga ne janë në shkollë. Për shkak të pandemisë u bë dhe mësimi online, ku tre nga ne domethënë me një smartphohe që kishim në shtëpi. Cili të punonte më parë?

Nxënës: Përshëndetje Z.Basha, unë jam Blerim Cenaj. Jam gjimnazist i gjimnazit “Havzi Nela” në Kukës. Jam ne viti e 3-të. Pra jam maturant. Kushtet janë katastrofike. Po të flasim për higjenën, banjot janë më keq se kurrë. Banjot janë si një vend lufte, një shesh lufte. Nuk ka as ujë, nuk ka një detergjent, nuk ka as edhe një lloj baze sado e vogël, që duhet që të ketë një shkollë për higjenën e saj. Për të vazhduar më tej, për shkak të pandemisë na kërkojnë dhe na detyrojnë që t’i mbajmë dritaret dhe dyert e hapura, që jemi në një kohë dimri dhe dihet nga të gjithë këtu që veriu ka një dimër të acartë. Pavarësisht kësaj, ata na kërkojnë që të mbajmë dritaret hapur dhe ne kemi shumë ftohtë brenda. Duke anashkaluar këto, prapë ata nuk sjellin as dru që të ndezim stufat dhe as stufa dhe detyrohemi që t’i blejmë vetë me lekët tona. Çdo gjë që kemi bërë në ato klasa, në atë shkollë, i kemi bërë nga lekët tona, nga familjet tona, duke marrë nga ata e duke blerë stufa, duke rregulluar dyert, duke rregulluar dritaret, duke marrë drunjtë nga shtëpia e duke i çuar në shkollë për tu ngrohur dhe prap se prap ajo ngrohje ikën për shkak se dyert dhe dritaret janë hapur. E për ça arsye kjo? Për t’u mbrojtur nga pandemia. Si mund të shkruaj unë leksionet që më jep profesori në tabelë, kur duart e mia janë të ngrira. Dhe shumë të tjerë janë kështu si puna ime. Do doja që të na jepni një zgjidhje ose të na tregoni se si duhet të zgjidhet kjo gjë në shkollën tonë.
Problematik e imja është që gjithë rinia dhe gjithë shokët, siç e tha dhe Indriti kanë ikur drejt emigrimit.

Lulzim Basha: Me çfarë sporti je marrë, Ardit?

Nxënës: Boksin. Dhe ish kampion më saktë. Dhe gjithë shokët që kam pasur në sportin e boksit, kanë marrë rrugën drejt emigrimit. Siç e tha dhe Indriti, gjithë rinia kuksiane po mundohet që të ikin sepse nuk shohin një të ardhme. Unë dua të di se çfarë do të ndodhë me sportin në të ardhmen.

Studentja: Problematika ime, siç e thashë në fillim është e ardhmja sa i përket universitetit sepse tani tashmë dihet çmimet janë të larta, konviktet kanë kushte katastrofike dhe duke menduar të mos shkoj në ato kushte të jetoj pak më mirë, janë edhe qerat, dhe qerat janë me një çmim goxha të lartë dhe tashme ta dimë të gjithë, të flasim hapur prindërit e mi janë të dy në punë, por që jam vetë e katërta ndër fëmijët, dhe nuk ka pothuaj një ekonomi të mjaftueshme për të katërt fëmijët. Dua të di në qoftë se do të ketë një plan në të ardhmen për sa përket universiteteve, çmimet.

Nxënësi: Unë quhem Milosao Palushi, jam maturant në gjimnazin Havzi Nela dhe unë dua të shpreh dy problematika. Së pari një herë, mbyllja e universitetit të Kukësit është katastrofal për ne, për disa arsye sepse, së pari, një herë të rinjtë kuksianë duhet të paguajnë, le të themi qeranë nëper Tiranë, duhet të marrin lekë nga familjet e tyre për t’u ushqyer në Tiranë, po të ishte i hapur universiteti këtu në Kukës, së pari ato do të jetonin në shtëpitë e tyre, s’kishte pse të paguanin qera.

Kamarier: Quhem Bajram Alikaj, kam që katër vite që kam mbaruar gjimnazin. Për shkak të gjendjes ekonomike në familje u detyrova të punoj vetë, duke e shtuar domethënë afatin për të vazhduar shkollën e lartë. Për shkak të pandemisë dhe karantinës ra gjendja ekonomike kudo në familjet shqiptare…

Lulzim Basha: Ku punon Bajram?

Kamarier: Kam punuar kamarier. Nuk e di çfarë prioriteti mund të kem unë domethënë në këtë moshë që jam. Jam në një moshë shumë të madhe. Prioriteti i një të riu kuksian është vetëm të ikë.

Lulzim Basha: E para, sa i përket emigracionit. Emigracioni i të rinjve është plaga e hapur e Shqipërisë. Dy janë prioritetet kryesore që i detyrojnë të rinjtë të largohen. Kushtet e papërshtatshme të arsimit, kushtet e papërshtatshme të jetesës ku përfshihet mundësia për punësim dinjitoz dhe kushtet e tjera që nga strehimi, mundësitë për të krijuar një strehë për familjen e re dhe stabiliteti, kushtet për arsimimin e fëmijëve, e tjera e tjera. Pra, dy janë kryesoret, arsimimi dhe punësimi i të rinjve. Të dyja këto janë të lidhura me detyrat e qeverisë. Një qeveri që i bën detyrat e saj e ka prioritet absolut rritjen ekonomike. Ne kemi pasur një plan të detajuar hartuar nga ekspertët më të mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Që nga ulja e taksave të cilat janë më të larta në rajon tek çmimi i përballueshëm i naftës dhe i energjisë, kush më mirë se ju në Kukës e bën krahasimin me çmimin e naftës në Kosovë. E duke vazhduar me stimuj të tjerë, duke bërë të mundur që ekonomia shqiptare të dalë nga kriza, ta marrë veten dhe të krijojë vende të reja pune. Me një investim të huaj në fushën e teknologjisë e informacionit, rinia e Kukësit, rinia e Shqipërisë mund të sigurojë vende pune me paga të larta. Ju thoni çfarë duhet të bëjë qeveria? Të bëjë detyrën e saj që nuk po e bën sot. Do të bëjë politika ekonomike që do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe do ta frenojnë atë. Do të krijojë mundësi për konkurrencë të ndershme, dhe jo monopole ku e gjithë Shqipëria është në duart e katër- pesë njerëzve. Do ta konsiderojë arsimin e lartë një prioritet absolut dhe do të bëjë të mundur që universitetet shqiptare të kthehen në promotorë të brezave të mirëshkolluar, promotorë të zhvillimit, të dijes dhe të kulturës. Do të bëjë të mundur, pra, që kur ta shohin hartën e Ballkanit investitorët e huaj, në veçanti europian që tani po ristrukturojnë investimet e tyre edhe per shkak të krizës globale, por s’dua ta kthej në leksion. Të thonë këtu, këtu në Shqipëri do të vijmë. Këtu është klima më e mirë fiskale. Këtu është rinia. Këtu është qeveria që do të na përgjigjet për trajnimin e rinisë, për ato vende puna që duam të hapim. Këta janë populli që mësojnë gjuhët e huaja. Këtu do të shkojmë të investojmë kapitalin tonë. Por që të binden që ta bëjnë këtë, na pret një punë e madhe dhe unë ju them jam i gatshëm bashkë me ekipin tim të kemi planin, të kemi vullnetin, të kemi vendosmërinë për ta bërë atë plan realitet. Por natyrisht më duhet ndihma juaj. Më duhet mua sot, nesër i duhet Shqipërisë ndihma juaj. Kjo është dicka që do ti shkojmë në krye me sukses vetëm kur të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Kur ne të bëjmë detyrat tona si qeveri dhe ju të na përgjigjeni duke bërë detyrat tuaja dhe sipërmarrja të bëjë detyrat e saj. Kështu do t’i bëjmë gjërat realitet, siç kemi bërë realitet rrugën e kombit kur se besonte askush dhe koha e udhëtimit Tiranë-Kukës është një nga më të shkurtrat në Shqipëri, siç kemi bërë realitet heqjen e vizave kur se besonte askush ku shqiptarët rrinin me orë të tëra para ambasadave dhe prapë nuk merrnin dot vizën për të vizituar fëmijët. Unë e di si nga përvoja e fisit tim, edhe nga përvoja që kam dëgjuar këtu në Kukës para heqjes së vizave kishin 6, 8, 10, 12 vjet pa i parë fëmijët e tyre. Do të bëjmë shumë më shumë, sepse nuk na mungon asgjë. Juve nuk ju mungon dëshira dhe vullneti për të ecur përpara dhe mua kjo më motivon dhe më frymëzon mua dhe ekipin tim na frymëzon, mbi të gjitha dhe para së gjithash kjo energji që shoh gjithmonë sa herë takoj të rinjtë e të gjithë Shqipërisë. Natyrisht edhe dhimbja e vuajtja e juaja dhe e prindërve tuaj, edhe ajo na motivon që ti japim fund një orë e më parë ta largojmë këtë të keqe dhe të bashkohemi për ta kthyer në potencialin më mahnitës së Shqipërisë, në mundësi për gjithësecilin prej jush. Pa diskutim kjo do të përkthehet edhe në gjërat e përditshme. Si ka mundësi që një vend të paguajë qindra mijëra dollarë për të blerë lap-top edhe kompjutera kryetari i bashkisë dhe nga ana tjetër të kemi shkolla ku fëmijët apo nxënësit, apo maturantët, apo gjimnazistët detyrohen të paguajnë nga buxheti i varfëruar i familjeve të tyre për t’u ngrohur? Kjo është e papranueshme. Këto janë dy realitete të papajtueshmë me njëri tjetrin dhe e vetmja mënyrë për ti pajtuar është që paratë që i bëjnë rrush e kumbulla, me shpenzime luksi, me shpenzime të panevojshme të shkojnë mbi të gjitha aty ku ka më shumë nevojë shqiptari sot, shëndeti, ekonomia, natyrisht edhe gjendja e shkollave që nga ngrohja tek higjena edhe gjithçka tjetër. Ju falenderoj nga zemra, dhe kam bindjen që së bashku do t’i lëmë pas këto kohë të këqija, dhe do të bëjmë më të mirën për vendin tonë, për familjet tuaja dhe për gjithë shqiptarët.

- ISLAMSHOP.CH -
- ISLAMSHOP.CH -

Të fundit