Në organizim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Trupit Koordinativ për përgjegjësi shoqërore të ndërmarrjeve, në Shkup u mbajt eventi tradicional vjetor i ndarjes së shpërblimit Nacional për praktikat më të mira të përgjegjësisë shoqërore.
Shpërblimi për praktikat më të mira të përgjegjësisë shoqërore ndahet për dhjetë vite me radhë, periudhë në të cilën 173 ndërmarrje parashtruan 540 praktika të mira të përgjegjësisë shoqërore me të cilat ndërmarrjet dëshmuan përkushtimin e tyre për krijimin e ndikimit pozitiv në shoqëri dhe mjedisin shoqëror në përgjithësi.
I pranishëm në manifestimin e sotëm ishte kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i cili në pikëpamjen e tij për kompanitë, tha se ato e kanë patjetër të prodhojnë shërbime të mira nëse dëshirojnë të mbajnë klientët, dhe të trajtojnë mirë punëtorin, në mënyrë që ai të mos largohet nga kompania si dhe të mos dëmtojnë ambientin sepse në atë rast do të përballet me mllefin e opinionit.
Zaev tha se Maqedonia është e përkushtuar në implementimin e qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2030 të cilat janë ngusht të lidhura me përgjegjësinë shoqërore, që njëkohësisht janë pjesë e programit qeveritar.
“Njëra nga shtyllat e programit qeveritar është zhvillimi ekonomik. Me përkrahjen e investimeve dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme bëmë procesin e rritjes së pagave, bëmë hapin e parë me rritjen e pagës minimale ndërsa vëmendjen e kemi të përqendruar tek stabiliteti i bizneseve”, tha Zaev, për të shtuar se këmbëngulja e tyre për rritje të pagave synon të mbajë në vend njerëzit e mençur dhe kreativ, që të mos kërkojnë shpëtim jashtë shtetit.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nga ana e tij tha se në dhjetë vitet e fundit, janë shpërblyer gjithsej 252 praktika të mira në pesë fusha të ndryshme të përgjegjësisë shoqërore, ndërsa këtë vit konkuruan 25 ndërmarrje me gjithsej 34 projekte nga të cilat 10 ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe 15 ndërmarrje të mëdha.
“Vetëm me kompani të cilat me mënyrën transparente dhe tipike të punës dëshmojnë se qëllimi i tyre nuk është vetëm përfitimi por edhe mbrojtja e ambientit jetësor dhe avancimi i mirëqenies shoqërore me çka kontribuojnë për zvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet në shoqëri, mund të themi se kemi kompani me përgjegjësi shoqërore ndërsa nga shteti ynë të bëjmë një vend të të mirë për të jetuar”, tha Bekteshi.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska tha se realiteti në Maqedoni nuk është rozë, megjithatë tha se dikasteri të cilin e drejton është i përkushtuar që t’ia kthejë dinjitetin punëtorit, për të shtuar se nga këto arsye miratuan ligjin për pagën minimale dhe për punëtorët e falimentuar.
Ajo u tha kompanive të pranishme në event se respektimi i të drejtave të njeriut është një nga themelet e qeverisë për çka kërkoi nga kompanitë të respektojnë punëtorin sepse një shoqëri e qëndrueshme është çelësi i suksesit të çdo shoqërie.
Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Maqedoni, Samuel Zhbogar në fjalimin e tij tha se praktikat më të mira të përgjegjësisë shoqërore janë të inkorporuara në strategjinë “Evropa 2020 “për grup inkluziv të qëndrueshëm dhe të mençur.
Në BE, tha Zhbogar, është në rritje numri i kompanive të cilat punojnë me përgjegjësi shoqërore, për të shtuar se kjo nuk është si pasojë e ligjeve por nga dëshira e kompanive që të respektojnë nevojat e qytetarëve duke shkuar përtej ligjit, prandaj uroi fituesit e çmimeve për punën e tyre me përgjegjësi shoqërore.
Për sa i përket aplikacioneve të arritura në adresë të Ministrisë së Ekonomisë për çmimet e viti 2017, nga totali, 32 për qind kanë qenë për kategorinë “Kontribut në shoqëri”, 26 për qind në kategorinë “Marrëdheniet me të punësuarit”, 21 për qind “Mjedisi Jetësor”, 15 për qind “Marrëdhëniet me Tregun” dhe 6 për qind “Udhëheqje etike”.
Numri më i madh i aplikantëve ka qenë nga sektori i shërbimeve, të ndjekur nga sektori IT, sektori Financiar, industria ushqimore, industria e përpunimit të metalit dhe nga sektori i ndërtimtarisë dhe tekstilit./Rtv Islam/