Shpend Ahmeti dhe Agim Bahtiri, dy kundështarët më të mëdhenj të grevës së mësuesve

Mos i humb

Mësimdhënësit kanë hyrë në ditën e shtatë të grevës, ndërsa institucionet e arsimit vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Ndaj një vendimi të tillë kanë reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas vendimit SBASHK-ut, që të mos e ndalë grevën, përkundër ofertës së Qeverisë Haradinaj për të rritur pagat e mësimdhënësve për 20 milionë euro në vit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Ahmeti ka shprehur shqetësimin dhe ka bërë thirrje mësimdhënësve të Prishtinës që të gjejnë rrugën që fëmijët të mos humbin mësimin.

“Si Komunë e Prishtinës apelojmë tek mësimdhënësit që të gjejnë rrugën që fëmijët të mos humbin mësimin. Lufta për të drejtat e punëtorëve nuk duhet të ndalet në asnjë sektor asnjëherë por nganjëherë dëmi kolateral është më i madh se përfitimi momental”, kishte thënë Shpend Ahmeti.

I të njëjtit mendim me Ahmetin ishte edhe Agim Bahtiri, kryetari i Mitrovicës. Madje, ai ishte edhe më radikal në kërkesën e tij për ndërprerjen e grevës. Bahtiri ka vendosur të sfidojë Sindikatën e Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, duke thënë se “nëse greva nuk ndërprehet dhe nxënësit vazhdojnë të humbasin orët mësimore, Komuna e Mitrovicës do të kërkoj staf mësimor vullnetar për ta mbajtur mësimin në shkolla”.

Ndërkohë, në ditën e shtatë të grevës së mësimdhënësve, kryesia e Sindikatës së Bashkuar për Arsim po viziton qytetet e ndryshme të Kosovës.

SBAShK refuzoi ofertën e Kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagave të mësimdhënësve, duke qëndruar të palëkundur nga greva.

“Nuk po kërkojmë aspak më shumë se të tjeret.. projektligji për paga është denigrues.. ose do të humbim ose do të fitojmë të gjithë… nga qerdhet deri tek niveli universitar duhet të jemi unik më shumë se kurrë dhe mos të lejojmë ndarjen nga askush. Kemi hyrë në një betejë ose do të fitojmë të gjithë ose do të humbim”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShk-ut.

Sipas kryeministrit, rritja për mësimdhënësit e shkollave të mesme do të jetë 74 euro nga paga aktuale. Për arsimin fillor nga 479 euro sa është aktualisht –  në 525.8, pra rritja është 46 euro. Për mësimdhënësit e sistemit parashkollor nga 447.9 sa është tani rritja është në 501 euro. Kurse për kategorinë e mësimdhënësve të shkollave speciale, rritja do të jetë për 49.8 euro./KosovaPost

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit