Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur pas mesnate në Lushnje. Burime nga policia bëjnë me dije se rreth orës 02:35, në lagjen “Gafurr Muço”, në katin e parë të një pallati parafabrikatë, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse në afërsi të derës së jashtme të banesës së shtetasit Besnik Çuko.
Për pasojë është dëmtuar dera e kësaj banese dhe e banesës përballë saj.
Ndërkohë Jetmir Çoku, vëllai i Besnik Çokut, pronarit të banesës ku u vendos tritoli në Lushnje, ka përjashtuar mundësinë e një konflikti që ka sjellë në ngjarjen e rëndë. Në një reagim për mediat, Çoku u shpreh se kanë qenë në gjumë në momentin e shpërthimit dhe se nuk kanë dijeni për identitetin e autorëve.
“Unë jam vëllai i Besnikut. Kemi qenë në gjumë. Nuk dimë gjë pse e bënë këtë. Ne nuk kemi konflikt me asnjë. Nuk dyshojmë tek askush,” tha ai para mediave.
NJOFTIMI I POLICISË
Sot rreth orës 02:35, në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, në katin e parë të një pallati parafabrikatë, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse në afërsi të derës së jashtme të banesës së shtetasit B. Ç.
Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar dera e kësaj banese dhe e banesës përballë saj, në pronësi të shtetasit L. B.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.


