“Shqipëria ime”, artistë të talentuar të shkollave përcjellin vlerat e krenarisë kombëtare

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për finalistët e konkursit të pikturës “Shqipëria ime”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Rama u shpreh se “këta artistë të talentuar nga të gjitha shkollat e vendit, i kanë bërë promovimin më të veçantë Shqipërisë, duke përcjellë vlerat më të larta të atdhedashurisë, krenarisë kombëtare, figurave dhe simboleve tona më të dashura, si dhe ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e popullit tonë”.

Kryeministri vlerësoi se ka parë në këtë konkurs talente mbresëlënëse.

“Uroj që ndonjë prej tyre të vazhdojë këtë rrugë, por nga ana tjetër ju këshilloj që pavarësisht se mund të zgjidhni një tjetër rrugë për jetën tuaj profesionale, të mos e lini këtë aktivitet të syrit, mendjes dhe duarve që është një ushtrim shumë i mirë për ju dhe që pasuron jetën e njeriut. E njëjta gjë vlen për muzikën, instrumentet muzikore, skulpturën, poçerinë, qëndistarinë e me radhë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se pikërisht ky ka qenë edhe qëllimi i programit jashtëmësimor për artet, zejet dhe sportin që do të zhvillohet në ambientet e shkollave.

“Ne synojmë t’i japim mundësi të gjithë fëmijëve që të mund të kalojnë një pjesë të kohës së tyre të lirë duke ushtruar shqisat dhe mendjen e tyre përmes një disipline artistike apo një disipline të zejtarisë. Rruga e artit është e vështirë, jo e lehtë, por është një rrugë shumë e bukur”, tha ai.

Kryeministri shprehu besimin se programi do të jetë një mbështetje për prindërit se do t’i japë mundësi që t’i lënë fëmijët në mjedise ku merren me art e me zeje dhe të qëndrojnë për disa momente larg kompjuterëve e telefonave celularë duke u shoqërizuar pak më shumë me njeri-tjetrin.

“Patjetër që teknologjia duhet sepse është e ardhmja dhe është e pashmangshme. Ne si gjeneratë tjetër nuk e ndalojmë dot edhe sikur të duam por duhet të krijojmë kushte, mundësi, hapësira sado të vogla që t’i shkëpusim për sa më shumë momente fëmijët nga celulari dhe Ipad-i”, tha Rama.

Duke folur për konkursin “Shqipëria ime”, Rama u shpreh se punët u përzgjodhën nga publiku dhe nga një komision profesionistësh, të cilët janë realisht të befasuar nga cilësia e tyre.

Ky konkurs është shndërruar në një aktivitet të përvitshëm, duke krijuar një traditë në prag të fundvitit nga Ministria e Arsimit për të ekspozuar piktorët e rinj.

Këtë vit në linkun e aplikimit kanë ardhur afro 2500 piktura rreth bukurive natyrore të vendit tonë, momenteve dhe figurave simbolike të historisë që do të mbeten të paharruara për vlerën e madhe kombëtare që mbartin.

Në përfundim, Kryeministri ndau certifikata për fëmijët fitues në këtë konkurs.

Kushi u shpreh se ky program ka për qëllim jo vetëm zbulimin dhe zhvillimin e talenteve, por edhe që të nxisë tek nxënësit një jetë të shëndetshme, sa më larg celularëve apo tabletave.

“Programi synon të nxisë sa më shumë jetë kulturore, artistike, jetë së bashku me njëri-tjetrin dhe mësuesit. I kemi marrë të gjitha masat, do ta fillojmë në 200 shkolla dhe do ta zgjerojmë në të gjithë vendin”, tha ajo.

Kushi theksoi se në këtë konkurs kanë marrë pjesë me mijëra nxënës nga gjithë Shqipëria, ndërsa një komision ekspertësh ka përzgjedhur 90 pikturat më të mira të ndara në tre kategori: arsim fillor, arsim i mesëm i ulët dhe arsim i mesëm i lartë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit