“Shqipëria në rrezik!”/ Protesta e opozitës, qytetarët nisen nga rrethet për në Tiranë

Mos i humb

Qindra qytetarë, mbështetës të opozitës, demokratë janë nisur nga rrethet për të marrë pjesë në protestën e thirrur sot nga Fronti Opozitar për shpëtimin e Shqipërisë.

Me mesazhet kyçe ‘Shqipëria në rrezik’ dhe ‘mos thuaj: ç’më duhet mua?’’, spoti i PD rithekson motivet e protestës dhe kërkon daljen nga apatia shoqërore.

Protesta e Frontit të Shpëtimit Kombëtar do të zhvillohet sot para Kryeministrisë duke rikthyer përballjen politike në vend.

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një tur intensiv takimesh me aktorë shoqërorë ka kërkuar bashkimin rreth kauzave kombëtare si shpopullimi, çmimet e larta, ekonomia në rënie dhe shkombëtarizimi nëpërmjet Ballkanit të Hapur.

Protesta e opozitës, rreth 2000 qytetarë nisen nga Dibra drejt kryeqytetit

Ora 16:42- Protestës së thirrur nga partia Demokratike në orën 19:00 këtë të enjte para kryeministrisë i janë bashkuar edhe qytetarë nga Qarku Dibër.

Sipas kryetarëve të degëve të PD në Mat, Bulqizë e Dibër, në total nga ky Qark do të jenë pjesë e protestës rreth 2000 qytetarë.

Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se nisja nga Burreli, Klosi, Bulqiza e Peshkopia është bërë pa orar për shkak se mund të kenë vonesa gjatë rrugës si pasojë e kontrolleve të Policisë.

Ora 16:08- Gazetarja Eneida Petova raportoi për “BalkanWeb” se qindra demokratë beratas janë nisur pasditen e sotme drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së thirrur nga opozita në orën 19:00. Organizimi dhe grumbullimi i demokratëve në të gjithë qarkun e Beratit është bërë nga të gjitha strukturat e degëve të Partisë Demokratike në qytetet: Berat, Kuçovë, Dimal, Skrapar e Poliçan.

Protestuesit janë nisur drejt Tiranës me mjete private, ku vetëm nga dega e PD-së Berat janë nisur 120 automjete të konfirmuara nga strukturat. Në rang qarku, drejt protestës në Tiranë janë nisur rreth 1350 protestues nga Berati,350 nga Kuçova,260 nga Dimali,220 nga Poliçani dhe 120 nga Skrapari. Nga ana e degës së PD-së Berat konfirmohet se nisja drejt protestës së sotme në Tiranë u krye me mjete private (ndryshe nga herët e tjera) pasi pronarët e autobusëve janë vënë nën presion me penalitete të ndryshme deri në heqje liçense nëse do të transportonin protestues drejt tubimit të thirrur sot në Tiranë nga PD-ja. Kryetari i degës së PD-së Berat, Shyqo Dura, duke shpjeguar mënyrën e organizimit të demokratëve drejt protestës në Tiranë, ka theksuar se përveç demokratëve dhe simpatizantëve të PD-së protestës do ti bashkohen edhe qindra qytetarë beratas që nuk kanë lidhje me partitë politike por që janë të indinjuar nga keq-qeverisja.

Ora 15:32- Ndërkohë gazetarja Shpresa Dine raportoi për “BalkanWeb” se për në protestën e PD të datës 7 korrik në orën 19:00 në Tiranë sipas kryetares së PD, Sarandë, Manjola Nikollo janë marrë të gjitha masat për pjesëmarrje. Sipas kryetares Nikollo janë nisur drejt Tiranës rreth 30 mjete të vogla, te kthyer në numër 250 persona.

MASAT E MARRA
Policia dhe institucionet e tjera kanë ndërmarrë masat për mbarëvajtjen e situatës, për t’iu paraprirë çdo skenari të mundshëm. Tubimi në fjalë pritet të nisë në orën 19:00, ndërkohë që PD ka marrë 2 orë leje në polici për zhvillimin e protestës, që do të mbahet para Kryeministrisë.

E teksa vijojnë përgatitjet e organizimit për ardhjen e protestuesve nga njëra anë, në anën tjetër policia ka nisur zbatimin e planit të masave. Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb një video ku shihet se në rrugë ka nisur ‘zbarkimi’ i autobotëve të blinduar të ujit, që përdoren kryesisht për shpërndarjen e turmave.

Ndërkohë është mësuar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.

Rrugët që do të bllokohen
Në kuadër të protestës që do të zhvillohet në orën 19:00, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, janë:
– bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;
– rruga “Gjergj Fishta”;
– bulevardi “Bajram Curri”
– bulevardi Zhan D’Ark
Policia apelon të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore.

‘Vishet’ fasada e Kryeministrisë
Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria është hedhur në veprim, duke blinduar dyert e godinës, ashtu siç edhe është bërë zakon në tubimet e mëparshme të opozitës.
Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se protesta do jetë paqësore, duket se nga ana e tij kryeministri Rama ka marrë masat në rast të një eskalimi të mundshëm të tubimit. Për këtë arsye gjatë paradites së djeshme u zhvendos edhe instalacionin “Kërpudha”, që u rindërtua pas dëmtimeve që mori dikur në një nga protestat opozitare.

Veç masave që po merren në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit” dhe para godinës së qeverisë, ku janë vendosur fonitë dhe podiumi, duket se maxhoranca po i paraprinë një skenari të mundshëm dhune. Në disa foto që qarkullojnë në media shihet se gjatë ditës së sotme godina e Parlamentit është pajisur me prozhektorë të mëdhenj dhe megafonë të cilët janë montuar paradite nga punonjësit e Kuvendit.

Ndërkohë, vlen të theksohet se gjatë orarit të protestës, kryeministri Edi Rama ka shumë gjasa që të mos jetë në Tiranë, pasi ai më 2 korrik nga tuneli Skarficës paralajmëroi se do të marrë pjesë më 7 korrik në inagurimin e By Pass-it të Vlorës. Ditën e sotme, protestës pritet që t’i bashkohen demokratë dhe qytetarë edhe nga qarqet e tjera të Shqipërisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit