
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) ka bërë të ditur se rreth 16 milionë gra në Europën Lindore kanë përjetuar dhunë dhe abuzime.
Studimi i OSBE-së u bazua në intervistat e kryera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali të Zi, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë.
Rezultatet e studimit të OSBE-së në këto tetë vende zbuluan se 70 për qind e grave të moshës 18-74 vjeç kanë përjetuar forma të ngacmimit seksual, kërcënime dhe dhunë intime nga partnerët ose jo partnerët që nga mosha 15-vjeçare.
“45 për qind e grave ose rreth 10.2 milionë prej tyre kanë përjetuar ngacmime seksuale, përfshirë ato nëpërmjet internetit”, tha raporti i OSBE-së.
Sipas studimit, rreth 4.4 milionë gra kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga jo-partnerët, ndërsa rreth 4.9 milionë nga partnerët.
“Dhuna psikologjike e raportuar në këtë studim është forma më e përhapur e dhunës intime nga partnerët. 60 për qind e grave që kanë qenë në marrëdhënie e kanë përjetuar këtë nga një partner”, tha OSBE.
Sipas raportit, disa grupe të grave janë në rrezik të lartë, duke përfshirë ato më të varfrat, ekonomikisht të varurat ose ato që lindin fëmijë.
“Bazuar në të dhënat e mbledhura, është e qartë se gratë nuk raportojnë shumicën e incidenteve në polici dhe ata rrallë kërkojnë mbështetje nga institucionet e tjera”, tha raporti.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, tha se dhuna ndaj grave në zonën e anketuar nuk duhet të anashkalohet.
“Në fund të fundit, duhet të përdorim rezultatet për të arritur qëllime specifike të politikave”, tha Greminger, duke përfshirë “reduktimin e dhunës ndaj grave, shërbime të përmirësuara për të mbijetuarit, si dhe siguri më të madhe për gratë dhe vajzat në përgjithësi”.


