Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, duke përfshirë edhe tre fëmijë, ndërsa shtatë të tjerë janë plagosur në një sulm me bombë në pjesën verilindore të Sirisë, (AA).
Automjeti i ngarkuar me eksplozivë shpërtheu në juglindje të qytetit Tal Abyad, tha një burimi i sigurisë i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të kufizimeve për prononcim në media.
Forcat lokale të sigurisë dyshojnë se grupi terrorist PKK/YPG mund të jetë përgjegjës për sulmin.
Burimi thotë se katër nga civilët e plagosur, të cilët ishin në gjendje kritike, u sollën në Turqi.
Tal Abyad u pastrua nga terroristët gjatë operacionit “Burimi i Paqes”, i cili u nis më 9 tetor të vitit 2019. Aksioni ushtarak u iniciua për të eleminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat, për të siguruar kufijtë e Turqisë, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të siguruar integritetin territorial të Sirisë.
Që atëherë, Turqia ka arritur marrëveshje me SHBA-në dhe Rusinë për të detyruar grupin terrorist të tërhiqet nga zona e sigurt e planifikuar.
Megjithatë, terroristët e PKK/YPG kanë vazhduar të kryejnë sulme në qarqet Tal Abyad dhe Ras al-Ayn pavarësisht se u tërhoqën nga zonat sipas marrëveshjes së arritur mes Turqisë dhe SHBA-së më 17 tetor.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega e saj në Siri.