SNHR: 61 të vdekur gjatë 3 muajve në sulmet e regjimit dhe Rusisë në Idlib

Mos i humb

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se 61 civilë, përfshirë 33 fëmijë dhe 12 gra kanë humbur jetën në sulmet e kryera brenda 3 muajve në zonën Jabal Al-Zawiya dhe përreth saj në jug të Idlibit nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit dhe mbështetësit të saj Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

SNHR, e cila dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut kundër civilëve, publikoi një raport lidhur me sulmet që regjimi i Asadit dhe aleati i saj Rusia duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit të arritur më 5 mars 2020, kanë kryer ndaj zonës Jabal al-Zawiya dhe zonave përreth saj në jug të Idlibit.

Zonat e vendosura në objektiv në Jabal al-Zawiya e cila përbëhet nga rreth 35 fshatra dhe komuna, janë kryesisht vendbanime civile, thuhet në raportin në të cilin vihet në dukje se në zonat e bombarduara nuk gjendet ndonjë qendër ushtarake ose depo armësh që i përket opozitarëve ushtarakë ose grupeve të armatosura kundër regjimit.

Më tej në raport thuhet se regjimi dhe Rusia nuk bëjnë ndonjë paralajmërim për popullatën e rajonit përpara se të vendosin në objektivin e tyre vendbanimet civile. Gjithashtu tërhiqet vëmendja se për shkak të rritjes së sulmeve në kohët e fundit, janë përjetuar rritje edhe në humbjen e jetëve të civilëve.

Regjimi dhe Rusia që nga 5 qershori kanë filluar sulme intensive në zonën Jabal al-Zawiya në jug të Idlibit thuhet në raportin në të cilin bëhet e ditur se 61 civilë, përfshirë 33 fëmijë dhe 12 gra kanë humbur jetën në bombardimet që forcat e regjimit dhe Rusisë kanë kryer në periudhën 5 qershor – 1 shtator.

Në sulmet ajrore të kryera nga Rusia në periudhën në fjalë kanë humbur jetën 33 civilë, përfshirë 20 fëmijë dhe 5 gra ndërsa në bombardimet e forcave të regjimit kanë humbur jetën 28 civilë, përfshirë 13 fëmijë dhe 7 gra.

Rrjeti në raportin e tij ka bërë të ditur se në mesin e civilëve që kanë humbur jetën në sulmet e regjimit dhe Rusisë ndodhen edhe 1 punonjës i medias, 1 personel shëndetësor dhe 1 vullnetar i Mbrojtjes Civile.

Situata në Idlib

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana u shpallën “4 zona të deeskalimit”, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), pjesën veriore të qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.

Forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë vendbanime të mëdha brenda rajonit të deeskalimit në Idlib.

Së fundmi, Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në kryeqytetin rus, Moskë.

Armëpushimi i shkelur herë pas here nga ana e forcave të regjimit, respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit