“Nganjëherë njeriu kaplohet nga xhelozia për fenë dhe zemërohet shumë kur i sheh njerëzit duke u treguar të pabindur ndaj Allahut e duke kryer mëkate.
Ne i themi: “Allahut të shpërbleftë! Pa dyshim që xhelozia për fenë është diçka që njeriu duhet ta ketë, sepse kur ai s’ka xhelozi për fenë, atëherë kjo është shenjë se zemra i ka vdekur.
Mirëpo, a dëshiron ta shuash zjarrin e xhelozisë brenda vetes me fjalët tua të ashpra e me veprimet tua që burojnë nga nervozizmi, apo dëshiron t’i përmirësosh njerëzit?
Pa dyshim që e dyta është ajo që duhet të jetë.
Andaj, përderisa synimi është t’i përmirësojmë njerëzit, atëherë duhet të përdorim rrugët më të përshtatshme drejt përmirësimit të tyre.
Kur e shohim e një njeri duke bërë mëkat, pa dyshim që ne e urrejmë mëkatin dhe po ashtu e urrejmë mëkatin edhe për këtë person. Mirëpo, si duhet ta trajtojmë këtë?
Marrim shembull operacionin: nëse duhet të intervenosh tek një njeri me tumor, a përdor brisk të keq e të papërshtatshëm, me të cilin e hap (pacientin) dhe e lë të derdh gjak, apo përdor metodat më të buta për kryerjen e operacionit me sukses, dhe pastaj e dezinfekton varrën e tij?
Pa dyshim që është e dyta.
Edhe sëmundjet shpirtërore janë si sëmundjet fizike, dhe është e detyrueshme për ne – veçanërisht në këtë kohë në të cilën mëkatet janë të shumta – të përdorim metodat më të buta, aq sa mundemi.
Është e vërtetë se ne jemi qenie njerëzore dhe nganjëherë mund të shpërthejmë, të zemërohemi dhe vuajmë shpirtërisht (kur i shohim mëkatet). Megjithatë, duhet të qetësojmë veten, sepse ne dëshirojmë përmirësimin dhe reformimin e shoqërisë.”
(Ibn Uthejmin, “Sherh Bulug El-Meram”, 1/97)
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku