SPAK kërkon dënimin me 1 vit e 8 muaj burg të ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçi

Mos i humb

Prokuroria e SPAK kërkon dënimin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi me 1 vit 8 muaj burg.

“Kërkoj deklarimin fajtor të të pandehurit Thoma Gëllçi për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me dy vjet e gjashtë muaj burg. Në aplikimin e nenit 406 të Kodit Penal, dënimin e tij me 1 vit e 8 muaj burgim”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Po kështu Prokuroria e Posaçme kërkon për Alban Malavecin, Julian Tapian dhe Ervin Muraj dënimin me 12 muaj burg për shkelje të barazisë në tendera.

Ish-drejtori i RTSH-së u arrestua më datë 8 tetor të vitit të kaluar bashkë me anëtarë të komisionit të ofertave Ervin Muraj, Julian Tapia, Alban Malaveci të akuzuar për abuzim me tenderat.

Sipas SPAK ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e kanalit TVSH AGRO. Tenderi është zhvilluar në 2018, dhe procedura është shpallur 3 vite përpara se TVSH Agro të fillonte transmetimi. Në 2021 TVSH Agro ka dalë në prova teknike. Përmes tenderit janë blerë pajisjet dhe janë përdorur ndërkohë.

Në tenderin për blerjen e pajisjeve si kamera etj, kanë qenë dy kompani EURO contact dhe TBS 96. Anëtarët e KVO janë shpallur TBS 96 fituese edhe pse kishte ofertë 20 mln lekë më të lartë. Të dyja kompanitë kane pasur parregullsi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar. Gëllçi dhe tre vartësit e tij janë arrestuar, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, dhe përkatësisht për tenderin që kap vlerën e 86 milionë lekëve pa TVSH.

Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se shkeljet janë kryer në tenderin me procedurë të hapur, ku personat e arrestuar rezulton se kanë favorizuar dhe nuk kanë bërë një garë të drejtë.
- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit