Spanja s’e ndërron mendjen për Kosovën edhe pas kërkesës së IOC-së

Mos i humb

Ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borrell, ka thënë se vendi i tij nuk do ta ndryshojë qëndrimin për sa i përket çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Borrelli, në një intervistë për radion spanjolle “Onda Cero”, ka thënë se Spanja nuk do t’ua mohojë vizat atletëve kosovarë, por ka ritheksuar se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën edhe përkundër kërkesës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

“Nuk do të pranojmë që një drejtor gjeneral i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të na tregojë neve se duhet ta njohim Kosovën. Kush mendon se është ai?”, ka pyetur Borrelli, duke iu përgjigjur zyrtarit të lartë të IOC-së Pere Miro, i cili theksoi se Spanja do ta ketë të vështirë të organizojë ngjarje sportive nëse e mban këtë qëndrim në raport me Kosovën.

“Politika ndërkombëtare e Spanjës nuk diktohet nga IOC-ja”, tha më tej ministri spanjoll.

Javën e kaluar, zyrtarë të IOC-së kërcënuan se do ta përjashtojnë Spanjën nga organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive nëse nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Borrelli u sqarua duke thënë se Spanja nuk e njeh Kosovën e as Gjibraltarin, dhe tha se “kjo ka pasoja”. Por, duke e mbrojtur qëndrimin e vendit të tij, ai theksoi se as Rusia, as Kina e as India nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ndërsa pyeti nëse një paralajmërim i tillë dërguar Madridit i është dërguar edhe Moskës, Pekinit apo New Delhit.

IOC-ja, sikurse edhe shumica dërmuese e federatave ndërkombëtare, e pranuan Kosovën në gjirin e tyre më 2014, por jo edhe Spanja. Në të vërtetë, pas krizës në lidhje me Kampionatin Botëror të Karatesë, Ministria e Jashtme spanjolle i dërgoi IOC-së një ankesë formale në lidhje me çështjen e vizave për atletët e Kosovës.

I pyetur nëse qëndrimi i qeverisë spanjolle do të ndryshonte nëse Kosova do të njihej nga Serbia, Borreli tha se në atë rast nuk do të ishte më “shpallje e njëanshme e pavarësisë”.

“Nuk jemi më papë se Papa”, tha ministri i Jashtëm, duke lënë të kuptohet se Spanja do të ishte e hapur të njihte Kosovën nëse Beogradi e njeh atë, transmeton Koha.net. Kujtojmë se Spanja pak ditë më parë mori vendim që të njohë simbolet dhe himnin e Republikës së Kosovës për ngjarje sportive që organizohen në këtë vend./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit