Spanjë, vazhdon shpërthimi i vullkanit derisa llava shkatërron gjithçka para vetes

Mos i humb

Shpërthimi i vullkanit në ishullin spanjoll La Palma ka vazhduar, duke shkatërruar qindra shtëpi ndërsa shërbime të shumta shpëtimi janë ende në terren dhe po monitorojnë vazhdimin e aktiviteteve vullkanike, raporton Anadolu Agency (AA).

Vullkani shpërtheu më 19 shtator në ishullin La Palma në Kanariet spanjolle ku jetojnë rreth 80 mijë banorë.

Llava vullkanike, temperatura e së cilës arrin 1.100 gradë Celsius, po shkatërron gjithçka para saj.

Vlerësimet paraprake tregojnë dëme prej 400 milionë euro. Më shumë se 6.000 persona janë evakuuar. Llava dogji 400 hektarë tokë bujqësore dhe rreth 400 shtëpi.

Shumica e njerëzve qëndrojnë me të afërmit në zona të sigurta në ishull, por qindra janë transferuar në strehimore të ndryshme shtetërore. Ata që kanë ikur nga shtëpitë e tyre përballen me mungesën e opsioneve të tjera të strehimit dhe vullkani mund të vazhdojë të shpërthejë për javë apo edhe muaj.

“Këtu e gjitha është shkatërruar. Nëse nuk janë në depresion, ata janë në prag”, tha Jonay Perez, një politikan dhe banor i qytetit të shkatërruar.

Shumë nga të evakuuarit nuk janë ende të sigurt nëse shtëpitë e tyre janë shkatërruar apo janë ende në funksion.

Mbreti Felipe VI i Spanjës vizitoi të enjten ishullin në Oqeanin Atlantik.

“Këto janë ditë trishtimi dhe ankthi të jashtëzakonshëm për shumë familje. Sot nuk është e lehtë të sigurosh prehje, por dëshirojmë t’ju japim shpresë se hap pas hapi, me ndihmën e të gjithëve neve, të gjithë do të jenë në gjendje të rinovojnë jetën e tyre”, tha ai.

Autoritetet thanë se Cumbre Vieja pritet të mbetet aktive për të paktën 24 ditë, ndoshta deri në tre muaj.

Ekspertët kanë paralajmëruar banorët për shpërthime të mundshme dhe reaksione kimike kur llava derdhet në det.

Shpërthimi i fundit vullkanik i ngjashëm në Spanjë ndodhi në vitin 1971, gjithashtu në ishullin La Palma. Atëherë shpërtheu vullkani Teneguia.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit