Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, zhvilloi një konferencë për shtyp, ku informoi për situatën në komunat Dibër dhe Qendrën Zhupë, pas prezantimit të masës së gjendjes së krizës në atë rajon si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), duke theksuar se nata e parë ka kaluar e qetë dhe pa asnjë incident apo lëvizje të popullatës.
“Të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot janë me zemër dhe mendje me qytetarët e Dibrës dhe Qendrës Zhupë. Të gjitha aktivitetet e nevojshme janë përgatitur për të siguruar dhe zbatuar masat efektive për të trajtuar situatën dhe përhapjen e koronavirusit”, tha kryeministri Spasovski.
Ai informoi se të gjitha institucionet dhe anëtarët e tyre, të specializuar për organizimin dhe zbatimin e të gjitha veprimeve dhe masave të nevojshme sipas Planit të Veprimit për zbatimin operacional të vendimit për praninë e gjendjes së krizës janë në terren.
Po ashtu është formuar Shtabi Kryesor Operacional i Menaxhimit të Krizave, si organ i ekspertëve që drejton aktivitetet e Planit të Veprimit me qëllimin e vetëm parandalimin e përhapjes së koronavirusit duke ndërmarrë masa dhe aktivitete të duhura shëndetësore dhe të sigurisë për qytetarët në territorin ku është shpallur kriza.
Për arritjen e këtyre qëllimeve janë angazhuar shumë ministri dhe institucione të nivelit qendror dhe lokal.
Kryeministri Spasovski tha se shumë masa dhe aktivitete të tjera janë përcaktuar dhe do të zbatohen për të trajtuar masat e kujdesit shëndetësor dhe për të parandaluar përhapjen e virusit me anë të përdorimit të detyrueshëm të pajisjeve personale mbrojtëse.
“Më e rëndësishmja është respektimi i masave të miratuara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut në lidhje me ndalimin e mitingjeve, izolimin në shtëpi të kontakteve me persona të iniciuar dhe të infektuar, si dhe çdo rekomandim tjetër”, tha Spasovski, duke shtuar:
“Në Dibër, Qendër Zhupë dhe të gjitha vendbanimet do të sigurohen të gjitha kushtet e sigurisë për të operuar kapacitetet e prodhimit të ushqimit, pikat e karburantit, farmacitë, spitalet, bankat, shërbimet komunale dhe posta, që të punojnë me orar të shkurtuar”.
Kryeministri Spasovski apeloi se më e rëndësishme është që qytetarët t’u përmbahen rekomandimeve dhe masave për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së virusit.
“Duke arritur nivelin e sjelljes më përgjegjësi të të gjithë qytetarëve, secilit individualisht dhe të gjithë së bashku, me nivelin e nevojshëm të përgjegjësisë maksimale personale, organizimit dhe disiplinës, ne do ta kapërcejmë këtë situatë në mënyrë efikase, të suksesshme dhe në një periudhë më të shkurtër kohore”, tha kryeministri Spasovski.
Në Maqedoninë e Veriut, numri i personave të konfirmuar me COVID-19 është 13, nga të cilët një pacient është shëruar. Katër rastet e fundit të koronavirusit të konfirmuara dje nga ministri i Shëndetësisë i vendit Venko Filipçe, janë nga Dibra.
Qeveria ditën e djeshme mori një vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Dibër dhe Qendër Zhupë, kurse presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, mori vendim për angazhimin e ushtrisë për të mbështetur vetëqeverisjen lokale në Dibër dhe Qendër Zhupë dhe për të mbështetur forcat policore MPB-së për sigurimin e një pjese të kufirit shtetëror me Republikën e Shqipërisë në territorin e Komunës së Dibrës.
Kohëzgjatja e veprimtarisë dhe angazhimit të forcave dhe kapaciteteve të ushtrisë do të jetë nga 13 marsi deri më 11 prill.


