![]()
Një raport i publikuar sot njofton se metropoli turk, Stambolli, ka vendosur rekord turistik me numrin më të madh të vizitave në pesë vitet e fundit.
“Stambolli, njëri prej kryeqyteteve të turizmit në botë me pasuritë historike, kulturore dhe natyrore, ka vendosur rekordin më të lartë në pesë vitet e fundit duke mirëpritur 5,5 milionë turistë në pesë muajt e parë të këtij viti”, thonë në një deklaratë nga udhëheqësia e Stambollit, pasi u publikua raporti i turizmit për vitin 2019.
Kjo ka të bëjë me një rritje prej 11 për qind në krahasim me vitin e kaluar duke e afruar qytetin në synimin për të pasur 15 milionë turistë në vitin 2019.
Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, tha se gjermanët përbëjnë pjesën më të madhe të turistëve të huaj në qytet, ndërsa më pas vijnë iranianët dhe rusët.
Turistët nga Kina, Ukraina dhe Arabia Saudite gjithashtu vizitojnë qytetin.
“Ne kemi një popullsi prej 15 milionësh dhe duam të mirëpresim 15 milionë turistë”, tha Yerlikaya.
“Stambolli tani është i treti në Evropë dhe në top 10-shin botëror sa i përket numrit të turistëve të huaj”, tha ai.


