Shoqata Profesionale Sudaneze (SPA) është zotuar të emëroj anëtarët e një “Këshilli Presidencial Civil”, të ngarkuar për drejtimin e çështjeve të kombit, pas rrëzimit të javës së kaluar të presidentit Omar al-Bashir.
Më 11 prill, ushtria rrëzoi al-Bashirin pas disa muaj protestash popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.
Një Këshill i Përkohshëm Ushtarak (MTC) tani po mbikëqyr “periudhën dyvjeçare kalimtare”, gjatë së cilës këshilli ka premtuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.
Të mërkurën, SPA e cila ka udhëhequr protestat kundër regjimit, paraqiti një listë kërkesash tek udhëheqësia e MTC-së.
Këto kërkesa përfshijnë formimin e shpejtë të një qeverie civile dhe të këshillit presidencial, në të cilin ushtria do të gëzonte përfaqësim të kufizuar, së bashku me një parlament funksional.
Në përgjigje të asaj që e përshkruan si “reagim të ngadalshëm të MTC-së” ndaj kërkesave të saj, SPA u zotua për nisjen e emërimit të anëtarëve të Këshillit Presidencial.