Që në nisje të fjalës së tij, kryeministri u ndal te sulmi kibernetik në vendin tonë. Rama theksoi se bëhej fjalë për një agresion të mirëfilltë luftarak në botën e internetit.

Pyetje: Si përfundim sa e përgatitur është sot Shqipëria për të përballur sulm kibernetik?

RAMA: Ky është shqetësim i madh, i ri sepse ne kemi sulme të vazhdueshme kibernetike prej shumë vitesh. Por të një shkalle të ulët për nga pikëpamja e aftësisë dhe shpejtësisë së penetrimit.

Këto flukse sulmesh të regjistruara nga institucioni që koordinon të gjithë projektin e revolucionit dixhital kanë qenë sulme të pasuksesshme.

Ky është një agresion i mirëfilltë luftarak në botën e internetit, dhe të gjithë sistemeve dixhitale, një agresion i egër që ka pasur synim të qartë zhdukjen e sistemeve dhe shkatërrimin pa kthim të tyre duke lënë një tokë të djegur nga mbrapa.

Ky është konkluzioni i ekspertëve që na kanë mbështetur dhe zotërojnë njohurinë më të madhe sot, ekspertët e Microsoftit.

Dëmet janë shumë më të lehta se sa shkalla e agresivitetit. Sistemet janë kthyer në punë, të dhënat janë krejtësisht irrelevante sa i përket sensitivitetit të tyre.

Një pjesë e tyre janë publikuar, vendime qeverie, shkresa që qarkullojnë në rrjetin e brendshëm që mund të merren nga çdo i interesuar me një kërkesë të thjeshtë, nuk janë dokumente sekrete. Çdo gjë tjetër ka pasur qëllim dezinformimin.