Tabaku: Fakton akuzat e ngritura nga Komisioni Hetimor Parlamentar

Mos i humb

Jorida Tabaku, Deputete e Partisë Demokratike, deklaroi sot se, dosja e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion për Arben Ahmetajn, fakton akuzat e ngritura në Komisionin Hetimor Parlamentar për çështjen e inceneratorëve.

Përmes një deklarate për mediat nga kryesia e Kuvendit, Tabaku, e cila ishte dhe Kryetarja së Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, u shpreh se, “Komisioni hetimor zhvilloi mbi 55 dëgjesa publike që përkthehen në 60 orë dëshmi me një rëndësi jetike për këtë çështje. Gjatë tre javëve të fundit të pandërprera me dëshmi, çdo shqiptar mësoi se si 430 milion euro nga taksat dalin sot e kësaj dite nga buxheti i tyre i shkojnë personave që kanë korruptuar deri zv/kryeministrin e Shqipërisë”,- tha Tabaku.

“Sot, ky komision korr realisht një fitore që mund të themi është emblematike për natyrën e akuzës që SPAK ka ngritur ndaj ish zv kryeministrit Ahmetaj që erdhi të dëshmojë në Komision në orën e vona të datës 21 shkurt dhe përfundoi dëshminë në orët e para të ditës së nesërme”,- vijon Tabaku.

“Mbi 11 padi të dorëzuara në SPAK, nga unë në emër të Partisë Demokratike, me 50 persona të akuzuar, sot 21 përpara drejtësisë dhe me shpresën që dhe pjesa tjetër të vazhdojë të hetohet. Të gjitha të nisura me padinë e parë në Tetor të 2020 e cila mban numrin 277”,- shton Tabaku.

“I kam vendosur SPAK në dispozicion mbi 20 CD me prova dhe SPAK ka qenë në komunikim me Parlamentin muajt e fundit ku ka marrë dhe të zbardhura të gjitha dëshmitë e të gjithë personave në hetim”,- tha më tej Deputetja e Partisë Demokratike.

Për Tabakun, “kjo ishte një betejë që u pasurua me raportin plot profesionalizëm të KLSH, që analizon me imtësi përgjegjësinë administrative jo vetëm të ministrit të financave dhe ekonomisë në përllogaritjet e gabuara dhe procedurat por mbi të gjitha edhe përgjegjësinë administrative të kryebashkiakut aktual për firmën e tij në inceneratorin e Tiranës”.

“Suksesi ka qenë bindja që drejtësia vonon dhe nuk harron sikundër dhe bindja se ende në Shqipëri ka qytetarë që duan të zbatojnë ligjin dhe luftojnë padrejtësitë, më kanë shtyrë të eci përpara në këtë betejë”,- tha Tabaku.

Në fund, Tabaku pati dhe një ftesë për SPAK. “Përtej përgëzimeve të mia ndaj SPAK për guximin për të hetuar dhe dërguar përpara bankës së të akuzuarve një zv kryeministër, mbetet dhe një tjetër kujtesë. Dosja e inceneratorëve është në të vërtetë një dosje e plotë dhe e vetme. E kuptoj presionin mbi ju! Përpjekjen për ta zhbërë! Por, ne dhe mbi të gjitha shqiptarët besojnë tek ju sepse e dinë që ju keni vetëm presionin e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit. Koha është që ne të vazhdojmë në këtë rrugë të nisur që 80% e shqiptarëve që besonin se kjo aferë është realisht korruptive, të marrin përgjigjen e tyre. Sytë e gjithë shqiptarëve padyshim janë gjithnjë e më shumë nga ju. Koha është të dëshmojmë të gjithë përgjegjësi institucionale dhe jo vetëm”,- tha Tabaku.

Ajo mbylli deklaratën për media, duke i bërë një ftesë edhe Ahmetajt, që të bashkëpunoj me drejtësinë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit