Tabaku: Ligji për investimet strategjike u kthye në një mekanizëm për favorizime

Mos i humb

https://www.facebook.com/watch/?v=1536650158189991

Ligji për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015, është kthyer nga një instrument i përkohshëm për nxitjen e investimeve në një mekanizëm për dhënien e favoreve për subjekte të caktuara, sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Në postimin e saj “Këndi i fundjavës”, Tabaku rindërtoi kronologjinë e ligjit nga miratimi i tij deri te zgjatjet e njëpasnjëshme dhe debatet aktuale për shfuqizimin e tij.

Sipas Tabakut, ligji fillimisht u prezantua si një masë e përkohshme që synonte të tërhiqte investitorë të huaj dhe të nxiste zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, por pas një dekade zbatimi ai është përdorur, sipas saj, për shpërndarjen pa garë të aseteve dhe pronave publike.

“Pa iu tharë ende boja ligjit, qeveria solli kërkesën e parë për shtyrjen e afatit në vitin 2018. Nëntë herë është ndryshuar ligji, gjashtë prej të cilave vetëm për t’i shtyrë afatin”, thotë ajo.

Tabaku kujtoi se që në vitin 2015 kishte propozuar amendamente që synonin mbrojtjen e pronës private dhe kufizimin e ndërhyrjes së shtetit në marrëdhëniet mes pronarëve privatë, por këto propozime nuk u miratuan nga mazhoranca socialiste.

Tabaku u ndal edhe te nisma e saj e vitit 2022 për ndërprerjen e efekteve të ligjit duke thënë se propozimi u rrëzua me argumentin se kuadri ekzistues kishte qenë i dobishëm dhe se po punohej për një ligj të ri për investimet.

Sipas saj, ligji i ri nuk u miratua, ndërsa afati i ligjit për investimet strategjike vijoi të shtyhej, duke arritur deri më 31 dhjetor 2026 pas ndryshimeve të miratuara para zgjedhjeve të vitit 2025.

Deputetja e PD-së lidhi këtë çështje edhe me ndryshimet në ligjin për portet turistike, për të cilat pretendoi se u krijojnë investitorëve strategjikë mundësi zhvillimi jashtë procedurave të zakonshme konkurruese.

Ajo përmendi si shembull projektin “Durrës Marina”, duke e cilësuar si një rast ku asetet publike janë vënë në dispozicion pa një proces të mirëfilltë konkurrimi.

Tabaku kritikoi gjithashtu dokumentin e prezantuar nga kryeministri Rama me emrin “Besa”, duke deklaruar se qeveria nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve për ndryshime të reja, pasi ka qenë vetë ajo që ka krijuar dhe zgjatur këtë sistem.

“Sa mund t’u besohet atyre që e kanë ngritur këtë sistem se do ta zhbëjnë atë?”, deklaroi Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike do të ishte një hap i rëndësishëm për ndryshimin e modelit të favoreve dhe rikthimin e konkurrencës në ekonomi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit