Tabaku: Paketë reale antikorrupsion mbi interesat e vogla partiake

Mos i humb

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit, deklaroi sot se nevojiten reforma që integrimin ta shndërrojmë në një proces që i ndihmon shqiptarët.

Tabaku solli në vëmendje faktin se në 21 dhe 22 mars, Këshilli Europian mori vendimin për hapjen e negociatave me Bosnjë-Hercegovinën, por fatkeqësisht sipas saj, “nuk ishte në rend dite Shqipëria dhe vendimi për hapjen e kapitujve”.

“Një mundësi e humbur prej 11 vitesh tashmë, ku integrimi përdoret si një refren bosh, por pakgjë është arritur. Në këto 11 vite të gjata pritje ky proces është trajtuar si elitar, politik duke dështuar të vendosë në qendër qytetarët që po largohen ndërkohë që s’e shohin Europën e premtuar këtu”, u shpreh ajo.

Tabaku theksoi se në vend që të ankohemi, sikundër kemi bërë për 11 vite me radhë, ku gishtin e fajit e kemi drejtuar nga BE, duhet të kthejmë këtë kohë të humbur në një mundësi për të ndërmarrë reforma që integrimin ta shndërrojmë në një proces jo për të shpërndarë medalje pa vlerë, por në procesin që ndihmon shqiptarët.

“Mungesa e meritokracisë është kthyer në një sistem prej mungesës së tregut të lirë dhe konkurrencës që ka mbyllur bizneset dhe këto kanë qenë shkaqet që kanë çuar shqiptarët në emigrim. Askush nuk beson se premtimet në letër të realizohen. Pasi shohin korrupsionin të kthyer në sistem”, theksoi ajo.

Sipas Tabakut, nuk mund të kemi një betejë antikorrupsion pa pasur në qendër të saj një paketë reale të diskutuar mbi interesat e vogla partiake.

“Nevojiten reforma në ekonomi për të garantuar një treg të lirë dhe konkurrues, sikundër dhe zhbërja e monopoleve që kanë shkatërruar aftësinë inovuese dhe prodhuese duke i veshur kosto shtesë dhe të pandershme qytetarëve. Po ashtu nevojitet rikthimi i meritokracisë përballë një kleptokracie që ka mbytur aftësitë zhvilluese të vendit”, u shpreh Tabaku, ndërsa theksoi se është koha që integrimi të jetë platforma ndryshuese për vendin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit