Tabaku: Sektori i hidrokarbureve, i papërfshirë në procesin e fiskalizimit

Mos i humb

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehu sot shqetësimin për mospërfshirjen e sektorit të hidrokarbureve në procesin e fiskalizimit.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave diskutoi sot mbi raportin e  Autoritetit të Konkurrencës, prezantuar nga Denar Biba.

Pas përfundimit të prezantimit, deputetja Tabaku ngriti një numër çështjesh në lidhje me konkurrencën në treg dhe punën e Autoritetit të Konkurrencës.

Ajo kërkoi që kryetari i Autoritetit të Konkurrencës të shpjegojë nëse kemi një treg të lirë dhe të konkurrueshëm në fushën e karburanteve, telefonisë celulare dhe ushqimeve.

Tabaku ngriti shqetësimin se ndryshe nga sa pretendon qeveria se fiskalizimi ka përfshirë edhe sektorin e hidrokarbureve, e vërteta sipas Gjykatës Kushtetuese është se ky sektor nuk është i fiskalizuar.

“Kam kërkuar tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë një raport për marzhin e fitimit të kompanive të karburanteve dhe nuk më ka ardhur ndërkohë që Ministrja Ibrahimaj është shprehur se fiskalizimi si proces është i implementuar plotësisht tek sektori hidrokarbureve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë, i kërkon MFE që të implementojë fiskalizimin. Tani si mund ta kuptojmë ne këtë?”, u shpreh ajo.

Më tej, Tabaku theksoi se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mbrojtur interesin publik në lidhje me dy projekte që janë debatuar në publik.

“Debati mbi Portin e Durrësit që sipas letrave dhe shkëmbimeve publike me Komisionerin e Zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi, kanë qenë në shkelje të konkurrencës nuk mori asnjë reagim nga Autoriteti i Konkurrencës. Së dyti, aeroporti i Vlorës që gjithashtu është shënjuar në progresraportin e BE-së si një kontratë në shkelje të konkurrencës”, shtoi ajo.

Tabaku shprehu po ashtu shqetësimin për mungesën e reagimit të Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me tenderët pa darë dhe konkurrimet fiktive në garat e hapura në fushën e prokurimeve publike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit