Për ne Shqipëria është partnere strategjike, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
“Italia e konsideron Ballkanin Perëndimor si prioritet të politikës sonë të jashtme dhe ne jemi absolutisht në favor të anëtarësimit të këtyre vendeve në BE duke filluar nga nga Shqipëria. Shpresojmë që kjo të ndodhë para vitit 2030″, theksoi ai në Farnesina, në një konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama.
“Në frontin e migracionit, në veçanërisht në Rrugën Ballkanike, me Shqipërinë kemi tashmë një bashkëpunim. Ne duhet të luftojmë trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët janë të njëjtë si trafikantët e drogës dhe të armëve. Ne po punojmë shumë me policinë tonë financiare dhe forcat shqiptare të rendit, por ne duhet ta forcojmë më tej bashkëpunimin’’, tha ai.
“Një, dy apo tre vende nuk mjaftojnë, pasi nevojitet veprim i fortë në Evropë dhe në OKB”, shtoi Tajani.
“Italia dënon dhunën në Kosovë dhe është e gatshme të vlerësojë hipotezën e forcimit të KFOR-it për të shmangur aksidentet dhe viktimat. Unë fola për këtë edhe me ministrin Crosetto”, theksoi ai.
“Unë besoj se Italia për aftësinë e saj për të dialoguar me të gjithë do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të sjellë paqen në një territor shumë të ndërlikuar. Zgjidhjet nuk janë kurrë ato të luftës, por ato të diplomacisë’