Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan do të takohet sot në Stamboll me kreun e zyrës politike të organizatës militante palestineze Hamas, Ismail Haniyeh, për të diskutuar mbi luftën e vazhdueshme në Gaza, raportoi transmetuesi shtetëror TRT.
Detaje të mëtejshme rreth natyrës së diskutimeve mes të dyve janë të paqarta.
Haniyeh u takua të mërkurën me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan në Katar për bisedime mbi një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve.
Erdogan mbështet publikisht Hamasin. Në fillim të kësaj jave, ai e krahasoi Hamasin me luftëtarët turq të pavarësisë kundër ushtrive perëndimore në Anadoll të viteve 1920. Ai sulmoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu mbi atë që ai e quajti një “masakër” të vazhdueshme në Gaza. Izraeli i kundërshton me vendosmëri deklaratat e Erdoganit.
Pavarësisht sulmeve verbale të presidentit, Turqia kohët e fundit ka rritur përpjekjet e saj për të luajtur një rol ndërmjetësues në luftën e Gazës.
Negociatat e ndërmjetësuara kryesisht nga SHBA, Katari dhe Egjipti deri më tani kanë dështuar.
Duke pasur parasysh numrin e madh të viktimave civile dhe situatën katastrofike humanitare në rrip, Izraeli po kritikohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht – madje edhe nga partnerët e ngushtë.