Takimet në Greqi, reagon PDIU: “Shija e shkëlqyer e drekës me grekët”, ka qenë vetëm për Ramën, por jo për shqiptarët. Nuk ka asnjë transparencë

Mos i humb

PDIU ka reaguar përmes një deklarate për mediat lidhur me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Greqi dhe takimet e zhvilluara atje.

““Shija e shkëlqyer e drekës me grekët”, ka qenë vetëm për Ramën, por jo për shqiptarët”- thuhet në deklaratën e PDIU, ku ndër të tjera theksohet se nuk ka asnjë transparencë nga takimet me Kryeministrit në Greqi, ndërsa e konsidenton heshtjen e kreut të qeverisë një kthim shpine ndaj interesit kombëtar.

“Cila është agjenda shqiptare kundrejt Greqisë? Çfarë i kërkojmë ne Greqisë në dreka private ku Rama shkon i vetëm përballë homologut në formatin 1 përballë 3?” janë disa nga pyetjet që shtron PDIU në deklaratë.

Deklarata e plotë:

Përkundër përpjekjes së mediave afër Kryeministrit Edi Rama për të krijuar idenë e një roli ndërmjetës të tij midis Greqisë dhe Turqisë, në sytë e shqiptarëve mbeten faktet kokëforta. Si për të treguar se nuk influencohet nga pritja protokollare dhe miqësia e Edi Ramës me Presidentin Erdogan, pala greke në të njëjtën ditë dorëzoi në Parlamentin e vet, ligjin për zgjerimin e detit territorial në Jon në 12 milje. Kreu i qeverisë shqiptare shkon në takime për të cilat jepet informacion zyrtar kryesisht nga pala greke, ndërkohë që Rama flet për ndjesitë e tij personale nga takimet.

Qasja e zgjedhur prej tij për t’u përballur me palën greke është rreptësisht personale: pa shoqërues politikë, pa staf, pa diplomatë, i vetëm fillikat. Kësisoj është plotësisht legjitime që kënaqësisë së tij për “shijen e shkëlqyer për drekën me grekët”, ne t’i kundërvëmë faktet.

Pse kreu i qeverisë shqiptare, edhe pak muaj në pushtet, zgjedh të shkojë vetëm në një drekë të tillë? Ndërkohë që kryeministri grek shoqërohej nga Ministri i tij i jashtëm dhe ish-ambasadorja greke në Tiranë, pse Rama në kundërshtim me çdo protokoll dhe në mënyrë të përsëritur nuk do dëshmitarë në takimet me palën greke? Kush mban shënime, kush i jep këshilla, kush përfaqëson memorien institucionale, cila është agjenda e tij tematike?

Rama flet vazhdimisht për “darka të bukura”, siç bëri në shtator 2020, dhe “shije të mrekullueshme mikpritjeje”, “për marrëdhënie të shkëlqyera” në janar 2021. Mirëpo faktet kokëforta na tregojnë se nga ky përmirësim marrëdhëniesh përfiton vetëm pala greke. Ajo ka avancuar një agjendë interesash të saj, që i ngjan një menuje të mrekullueshme vetëm për grekët: zgjerimi i detit territorial n 12 milje; procesi i pritshëm i censusit me vetëdeklarim; mbajtja në këmbë e ligjit të luftës; mosndryshimi i qasjes ndaj Çamërisë martire; zgjerimi i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri; zgjerimi i zonave minoritare apo homogjene në Vlorë, Konispol, Përmet, etj.

Cila është axhenda jonë e interesave? Rama nuk është transparent, bisedon i vetëm, nuk jep informacione. Kush e di si funksionon ai, e di që nëse do të kishte përparim në “kërkesat e të ashtuquajturës shportë shqiptare të problemeve historike apo moderne”, Rama do t’ i bënte publike. Mirpo heshtje.

Një arrogancë e tillë e kreut të qeverisë sonë; një megallomani servile nuk fsheh gjëra të mira. PDIU do të vijojë të denoncojë këtë prapakthehu të qeverisë sonë, të kreut të saj, këtë kthim shpine ndaj interesit tonë kombëtar pavarësisht se kjo po tentohet të kamuflohet me kinse një rol mesazhpërcjellësi të Ramës midis Turqisë dhe Greqisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit