
Pavarësisht kundërshtimeve të forta, kryeministri Edi Rama vijon i palëkundur “betejën” për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Shefi i qeverisë duke cituar aktorin e madh të skenës shqiptare, Reshat Arbana, thotë se ky i fundit mbështet idenë e ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, pasi ekzistuesi shton ai, ka humbur të gjithë funksionet.
“Njëri ndër idhujt e publikut shqiptar, aktor i gjeneratës së yjeve të një kohe kur mjeshtëria artistike i jepte kuptim kornizës së absurdit socrealist, Reshat Arbana i përket historisë së skenës e të ekranit. Por raportin me vlerat e historisë dhe respektin mjeshtrat e skenës, ai nuk e sheh aspak të lidhur me muret prej tallashi të karakatinës së sotme të Teatrit Kombëtar. Përkundrazi, njësoj si të tërë artistët e vërtetë të skenës, aktori i madh mbështet prej shumë kohësh ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, në hapësirën ku i vjetri e ka kryer e humbur përfundimisht funksionin e tij.RESHAT ARBANA:Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin. Të shohim teatër që të ngacmojë spektatorin në zemër”-thuhet në mesazhin e Ramës.
Kujtojmë se krahas argumenteve te pohuara nga vetë Rama dhe që flasin në favor të prishjes se godinës së teatrit ekzistues, kryeministri ka cituar aktorë dhe personalitete të fushës së artit, të cilët janë të idesë se Shqipërisë tashmë i duhet një Teatër i ri Kombëtar.


