Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe të paktën pesë të tjerë u plagosën në një përplasje midis një treni ekspres dhe një autobusi në Sllovaki, njoftoi shërbimi shtetëror i shpëtimit.
”Më shumë se 100 pasagjerë ishin në bordin e trenit ”Eurocity” që udhëtonte nga Praga në Budapest kur u përplas me autobusin rajonal pranë qytetit Nove Zamky”, njoftoi policia dhe hekurudhat shtetërore ZSSK.
Transmetuesi publik RTVS raportoi se autobusi ishte copëtuar në përplasje, ndërsa motori i trenit mori flakë.
Shkaku i aksidentit fillimisht ishte i paqartë.
Mediat spekuluan se sistemi i sinjalizimit në vendkalimin në nivel mund të jetë dëmtuar nga përmbytjet që kanë vazhduar që nga mbrëmja e së mërkurës. Megjithatë, nuk ka pasur një konfirmim zyrtar për këtë.
Ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok pasi ka shkuar në vendin e aksidentit ka konfirmuar se të gjithë të vrarët ndodheshin në autobus.