Të rinjtë shkodranë në podcast me Ramën

Mos i humb

Tre të rinjtë e gjimnazit “28 nëntori” të Shkodrës, fitues të garës ndërkombëtare në fushën e teknologjisë ishin sot të ftuar nga kryeministri Edi Rama në episodin e gjashtë të podcastit “Flasim”, sezoni i dytë.

“Kam këtu miq të ftuar, që janë, jo nga inteligjenca artificiale, por nga inteligjenca shkodrane. Janë tre çuna të gjimnazit “28 nëntori” të Shkodrës që kanë surprizuar gjithë Shkodrën dhe jam i bindur që do surprizojnë gjithë Shqipërinë, të paktën ata që do i dëgjojnë sot sepse kanë fituar një garë goxha të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e teknologjisë me të rinj nga shumë vende të botës. I kam ftuar që të na tregojnë për shpikjen e tyre, por edhe për sesi arritën tek kjo shpikje dhe çfarë duan të bëjnë më tutje. Se thotë një fjalë, “oreksi vjen dule ngrënë”. Është këtu me mua Endri. Pastaj është Gerti, pastaj është Ermi. Tani kështu me gjatësi ju dukeni si tre breza, por ju jeni në të njëjtën shkollë dhe jeni në klasa të ndryshme”, tha Rama.

Të pyetur si janë bashkuar të tre bashkë, duke qenë në klasa të ndryshme, Endri tha se  “në gjimnazin “28 nëntori” ka grupin e inteligjencës artificiale me projektin ‘AI for youth”, mbështetur nga Ministria e Arsimit ku projekti na bashkoi duke pasur një rezultat shumë të mirë. Grupi i përgjithshëm i laboratorit të inteligjencës artificiale të shkollës përbëhet nga 20 nxënës të klasave të dhjeta dhe të njëmbëdhjeta. Në finalizimin e projektit ne na kërkohet një ide, e cila dërgohet në festivalin ndërkombëtar të inteligjencës artificiale ku mund të dërgohen deri në 7 ide. Në këto 7 ide u përzgjodhëm unë, Gerti dhe Ermi për të krijuar një projekt dhe kështu u bashkuam së bashku”.

“Siç kam lexuar unë nga informacioni për këtë shpikjen tuaj është që ju keni bërë një projekt të inteligjencës artificiale me të cilin ju do t’i jepni zgjidhje transportit të mjeteve në Shkodër, por mund t’i jepni zgjidhje dhe në të gjithë Shqipërinë. Kush do flasë pak për këtë?”, pyet Rama.

Po, theksoi Emri, ideja jonë ka lindur pasi në Shkodër ku është vendi ku kemi lindur dhe jetojmë kemi parë që ka shumë shkelje rrugore si parkimi ilegal i makinave, kundërvajtje ose tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe kemi parë që është një problem që na shqetëson shpesh ne, kështu që kemi menduar ta bëjmë këtë ide.

Ndërsa Endri u shpreh se “ideja është ende në fazën prototip, por ne shpresojmë që brenda 3-5 vjet të hapet në Shkodër dhe Tiranë”.

Pyetjes së kryeministrit Rama pse merr kaq kohë zhvillimi, ?

Endri tha se “janë etapat e projektit që kërkojnë kohë sepse duke përfshirë shumë zgjidhje që do të bëhet për lehtësimin e trafikut, shkeljet rrugore, kërkohen shumë etapa për të arritur në këto finalizime”.

Ndërsa Ermi tha se “sistemi jonë është një sistem kompleks. Që të mos kryejmë gabime, ne duhet ta shikojmë me kujdes dhe të bëjmë shumë prototipe para se do jepet një version konkret”.

Gerti u shpreh se “një arsye tjetër që do shumë kohë për ta bërë është dhe problemet që mund të kenë si për shembull: moti i keq, ku është shumë e vështirë të shihet targa ose makina që është duke shkuar. Mund të jenë probleme me vetë sistemet që duhen zgjidhur para se të lirohet, ka shumë elemente të tjera që kanë lidhje me këtë”.

Endri tha se “para disa javësh ne kemi zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë zotin Benet Beci, i cili ishte i interesuar për projektin tonë. Ne ia shprehëm disa kërkesa, të cilat ishin për zhvillimin e këtij projekti në qytetin e Shkodrës. Ofroi ndihmën dhe mbështetjen e tij si nga ana financiare, ashtu dhe nga ekspertët e fushës, që implementimi në qytetin e Shkodrës të kryhet maksimumi në dy vite”.

Rama u shpreh se “po për pjesën teknike flas, ju mund ta bëni të gjithën vetë apo ju duhet dhe mbështetje”.

Ermi tha se “kryesisht ka qenë zhvillimi me kujdes, ndoshta me ekspertë ne mund ta zhvillojmë sa më shpejtë dhe sa më mirë këtë projekt”.

Ndërsa Gerti shtoi se “ne na duhet më shumë orientim për të mësuar më shumë gjëra mbi këtë. Pasi është një ide shumë  e mirë dhe e vështirë për ta kryer”.

“Si organizohet sistemi, të dhënat ku mblidhen. Çfarë tregojnë këto të dhëna dhe si kjo pastaj ndikon në të gjithë disiplinimin e trafikut”, tha Rama.

Ermi tha se “sistemi jonë përdor inteligjencën artificiale për të dalluar shkeljet rrugore. Ajo i ruan në databazë, pastaj më vonë, pas disa vitesh do të jenë ne e-albania për të bërë një raportim automatik të gjobave”.

Gerti tha se “kur ta dërgojmë në Shkodër është sesi do reagojnë njerëzit, publiku ndaj kësaj, a do ketë reagime të mirë ose të këqija. Dhe si do të shkojë dhe për të bërë test gjeneral si do të jetë në rrugët në kohë reale”.

Kryeministri Rama theksoi se “sistemi i inteligjencës artificiale ka një të mirë të madhe që nuk ka kushërinj, nuk ka vese, nuk korruptohet, nuk funksionon me korrupsion. Është një sy komplet i pavarur nga të gjitha këto që sheh gjithandej, që nëpërmjet gjithë sistemit të kamerave që janë të instaluara që mbledh informacionin dhe pastaj jep raportin objektiv që në këtë vendndodhje kjo makinë me këtë targë është gabim, apo jo? Dhe atij që i shkon gjoba i shkon bashkë me kartolinën dhe nuk ka se pse mos të funksionojë apo jo?”

“Po dhe shpresoj ta kthejmë në digjitale me e-Albania dhe për ta bërë sa më të lehtë pra dhe për ta paguar gjobën”, tha Ermi.

Kryeministri Rama bisedoi me të rinjtë se si kishte lindur pasioni i tyre për teknologjinë si dhe për pasionet e tjera të tyre.

Më pas Rama i pyeti të rinjt a po ndryshon ndopak Shkodra.

“Shkodra po. Kanë ardhur turistë sidomos gjatë sezonit veror. Korsitë e biçikletave që ne i përdorim ndonjëherë kur lëvizm domethënë, është zbukuruar.Po ne kemi parë ndryshimin e rrugëve, si për shembull mund të jenë rregulluar disa rrugë të ndryshme që dikur kanë qenë të prishura ose në kushte jo shumë të mira.Shihet gjallëria  e qytetit të Shkodrës, ndoshta dhe me përfshirjen e shumë aktiviteteve që organizohen jo vetëm sitën e verës, por tani kanë filluar që të organizohen edhe në vjeshtë. Vetëm një kërkesë mund ta shprehim që me u ndërtuar sa më shumë hapësira, me luajtur volejboll, basketboll, sepse, gjithë shokët tanë janë në stërvitje, kështu që pse mos të krijohen falas për të gjithë të rinjtë”, theksuan të rinjtë.

Kryeministri Rama tha se “ne kemi një program për start-up dhe besoj që nëse do ta shikoni, mbase mund të bashkëpunoni dhe me Kryetarin e bashkisë, Benetin sepse Beneti një nga cilësitë e mira që ka të historikut të tij të punës, është që është shumë i zoti për të shkruar projekte dhe për të aplikuar për financime të organizatave të ndryshme, apo të fondeve të ndryshme, apo të programeve të ndryshme dhe mund të bëni një aplikim për të marrë mbështetje financiare për këtë inovacionin tuaj, në mënyrë që ta bëjmë realitet dhe ta bëjmë bukur sa më shpejt këtë modelin e inteligjencës artificiale për trafikun se mund të na shërbejë shumë pastaj për ta shtrirë në gjithë Shqipëri.”

“Patjetër që inteligjenca artificiale do ndryshojë rrënjësisht raportet e punës dhe raportet mes realitetit dhe institucioneve sepse do të japë mundësi të jashtëzakonshme në të gjitha fushat për të pasur një monitorim jashtëzakonisht të detajuar dhe jashtëzakonisht objektiv të shumë aspekteve që sot për sot bëhen vetëm nëpërmjet njeriut dhe sigurisht që, nëse, se sistemi i kamerave dhe monitorimi i trafikut me kamera nuk është e re, është e vjetër, por me futjen e inteligjencës artificiale, përpunimi i gjithë informacionit, dhënia e raporteve, jo thjesht shpejtësia në trafik, në pika të caktuara, por edhe mënyra e parkimit, shkeljet, sjellja me rregullat e qarkullimit është progres. Ju përgëzoj shumë për punën në të gjitha aspektet. Edhe për dhjetat, edhe për pasionin dhe vullnetin për inovacionin dhe patjetër për faktin që jeni çuna të mirë që i bëni nder familjes, i bëni krenarë prindërit dhe jepni shembullin që, kudoqoftë mund të synosh sukses e mund të bësh sukses. Nëse nuk kërkon gjithë ditën justifikime, jo se kjo s’bëhet, jo po se këtu kështu, jo po se këtu ashtu, jo se ky më tha, jo se i thashë atij, po jo mo se kështu. Kështu që, për të gjitha këto respekte”, tha Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit