“Të zhvillohet procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë”

Mos i humb

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka zhvilluar sot tryezën e diskutimit me temë “Prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit: Një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit”.

Në këtë tryezë, ku kanë marrë pjesë pjesëtarë të organizatave joqeveritare, ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, u fol për propozimet, axhendat dhe prioritetet e partive politike në fushën e drejtësisë.

Përfaqësuesja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se pavarësisht dallimeve politike për një gjë duhet të pajtohen të gjithë, që Kosova ka probleme të mëdha me sistemin e drejtësisë.

Haxhiu tha se tani është koha që qytetarët t’i besojnë sistemit të drejtësisë. Ndërsa për ta kthyer këtë besim, ajo tha se duhet bërë verifikim të organeve të drejtësisë.

“Për ta kthyer besimin në institucionet e drejtësisë, ne besojmë që duhet të ketë verifikim dhe kontroll të integritetit personal dhe profesional të prokurorëve, gjyqtarëve, niveleve të larta të policisë dhe të AKI-së (Agjencia e Inteligjencës së Kosovës). Kjo natyrisht nuk mund të bëhet vetëm nga Qeveria, pa pasur një bashkëpunim të fuqishëm edhe me Kuvendin e Republikës së Kosovës gjegjësisht të gjitha subjektet të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës”, tha Haxhiu.

Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se duhet të sigurojnë njerëz me duar të pastra në sistemin e drejtësisë për luftimin dukurive negative në Kosovë. Ai tha se duhet të kihet kujdes në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Janë dy-tri fokuse që do të jenë domosdoshmëri e reformës në sistemin e drejtësisë, duke filluar nga e para, mënyra e asaj që ne e quajmë imediate për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pjesa tjetër që ndërlidhet me performancën apo llogaridhënien në tërësi. Duke filluar edhe nga shkallshmëria por edhe gradimet dhe degradimet që duhet të sigurohen me ligj”, tha Zemaj.

Zemaj shtoi se gradimet janë të arritshme në sistemin e drejtësisë, por jo edhe degradimet, gjë që ka bërë që asnjë prokuror apo gjyqtar në Kosovë mos të degradohet nga pozita për kryerjen e detyrës sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe “një gjë e tillë ka lënë dyshime në vendimmarrje dhe ka krijuar pasiguri juridike”.

Ndërkaq, drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu” tha se koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të ketë fokus me rëndësi nxjerrjen e ligjit që lidhet me financimin e partive politike, në mënyrë që të dihen burimet e financave të partive. Demhasaj gjithashtu tha se çështja e konfiskimit të pasurisë është shumë me rëndësi dhe duhet të ketë prioritet.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është shprehur në favor të zhvillimit të një procesi të vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë si parakusht që të rikthehet besimi i kosovarëve në këtë sistem. Ai e ka quajtur këtë proces si delikat dhe për një gjë të tillë ka thënë se është i interesuar të mos politizohet procesi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit