
Të paktën 2 persona e kanë humbur jetën ndërsa 310 të tjerë janë plagosur si pasojë e tërmetit prej 5,9 ballë sipas Rihterit që goditi qarkun Tazeabad pranë provincës Kermanshah të Iranit.
Instituti i Ndërhyrjes Emergjente të Iranit njofton se si pasojë e tërmetit që ndodhi në qarkun Tazeabad dy persona kanë humbur jetën ndërsa 310 të tjerë janë plagosur.
Në deklaratë thuhet se një grua shtatzënë është njëra nga viktimat ndërsa tjetri një burrë 70 vjeç i cili kishte pësuar sulm në zemër.
Presidenti iranian Hassan Rouhani ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Brendshme Abdolreza Rahmani Fazli dhe guvernatorin e provincës Kermanshah Hosheng Bazung. Ruhani me këtë rast ka udhëzuar përfundimin e shpejtë të punimeve në rajon dhe përmbushjen e nevojave të popullatës së prekur nga tërmeti.
Në televizionin shtetëror të Iranit thuhet se ministri i Brendshëm Fazli nesër do të vizitojë rajonin e tërmetit dhe se do t’i hetojë punimet në këtë vend. Po ashtu bëhet e ditur se me këtë rast do të bëhet hapja e shtëpive të reja të ndërtuara në vend të atyre të cilat u shembën në tërmetin e vitit të kaluar.
Në tërmetin 7,3 ballë i cili goditi rajonin kufitar midis Irakut dhe Iranit më 12 nëntor të vitit 2017, në provincën Kermanshah të Iranit humbën jetën 620 persona./Rtv Islam/


