Thaçi: Pavarësia e Kosovës solli paqe dhe stabilitet për rajonin

Mos i humb

Në pritjen solemne të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të organizuar në Prishtinë me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Thaçi theksoi se së bashku gëzojnë të arriturat e shtetit të Kosovës dhe së bashku qëndrojnë të përkushtuar në vlerat e përbashkëta për liri, barazi, shoqëri muti-etnike, shoqëri shumë-fetare, tolerancë, bashkëpunim dhe dialog.

Në pritjen solemne ndër mysafirë të shumtë ndërkombëtar, nga rajoni dhe vendi, të pranishëm ishin edhe kryeministri dhe kryeparlamentari i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Edi Rama, kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi, kongresmeni amerikan që ka kontribuar për pavarësinë e Kosovës, Eliot Engel, ish-kryeministri dhe ish-ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoğlu, ish-ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner, si dhe të tjerë.

“Momenti i zyrtarizimit të ushtrisë është duke trokitur në derë”
Presidenti Thaçi tha se kjo sakrificë e deritanishme e Kosovës u mbështet nga bashkësia ndërkombëtare, e cila siç tha ai, u doli në krah që të jenë të lirë. Ai shprehu mirënjohje për të gjithë që kontribuan në të arriturat e sotme të Kosovës, duke theksuar SHBA-të, NATO-n dhe Bashkimin Evropian (BE).

Ai më tej tha se asgjë në përpjekjet e shtetit të Kosovës deri në pavarësinë e saj nuk ishte e njëanshme, duke shtuar se, “NATO, Bashkimi Evropian, SHBA-të dhe aleatë të tjerë punuan së bashku për të gjetur zgjidhjen për të sjell paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm edhe për Kosovën, edhe për rajonin. Kjo zgjidhje ishte pavarësia e Kosovës dhe dekada jonë si shtet e ka dëshmuar këtë”.

Sipas vlerësimeve të tij, Kosova në dekadën e fundit është shteti me rritje më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe është vend që garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kushtetutën dhe realitetin e këtij vendi, si dhe pjesa veriore e Kosovës është duke u integruar dhe ka filluar të funksionojë rendi dhe ligji, jeta demokratike.

“Kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyer me fqinjët, madje edhe me Serbinë kemi arritur marrëveshjen e parë për normalizim në Bruksel dhe tani po punojmë për normalizim të plotë të marrëdhënieve për një fqinjësi të mirë dhe pajtim. Konfirmimi më i mirë për suksesin në reformat tona është nënshkrimi i Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim me Bashkimin Evropian. Kjo tregon se kemi ecur me hapa të qëndrueshme në reformat ekonomike, politike dhe në drejtësi”, deklaroi Thaçi.

Thaçi theksoi se ky shtet sigurisht që ka edhe sfida, por sipas tij sfidat, të tilla si zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës dhe fuqizimi i sundimit të ligjit, janë të njëjta sikur të gjitha vendet e tjera të rajonit.

– Haradinaj: Uroj BE-në dhe NATO-n për anëtarin më të ri që po i troket në derë

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili poashtu u adresua në pritjen solemne theksoi se “i ndjejnë të gjitha komunitetet etnike në Kosovë që bashkëjetojnë me ata”.

“Uroj Kosovën dhe qytetarët e vendit, shqiptarët kudo që janë. Uroj Bashkimin Evropian për anëtarin më të ri që po i troket në derë. Uroj NATO-n për anëtarin më të ri që po bëhet gati dhe njëkohësisht të gjitha kombet e lira të botës për anëtarin e ri që po ju vjen”.

Ndihmës/sekretari i Mbrojtjes për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare të SHBA-ve, Robert Karem, nga ana e tij tha se qytetarët dhe liderët e të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë duhet të bëjnë zgjidhje të vështira në mes të tensioneve të karakterit etnik, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë për një të ardhme më të mirë.

Ai tha se SHBA-të i inkurajojnë qytetarët dhe udhëheqësit e shtetit të Kosovës që ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar duke forcuar sundimin e ligjit, me qëllim sjelljen e drejtësisë për viktimat.

Festimet me aktivitete të shumta kulturore, artistike dhe sportive të 10-vjetorit të pavarësisë u mbyllën me pritjen e sotme solemne të mysafirëve ndërkombëtar, të rajonit dhe të vendit.

Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoğlu, i cili nga e premtja qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Davutoğlu, këto tre ditë në Kosovë, u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli, ndërkohë mori pjesë edhe në promovimin e librit të tij “Qytete dhe Qytetërime”. Ai poashtu qëndroi edhe në komunat e Prizrenit dhe Mamushës, ku në Prizren vizitoi shkollën “International Maarif Schools of Kosova”, ndërsa në komunën e vetme turke në Kosovë, Mamushë, vizitoi përmendoren e dëshmorëve të Çanakkalasë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit