Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë në bashkëpunim me Zyrën e Sigurisë pranë prezencës së OSBE-së në Shqipëri organizojnë në Tiranë Konferencën Rajonale dy ditore “Mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në Luftën kundër Krimit të Organizuar”.
I pranishëm në këtë aktivitet, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, theksoi se lufta kundër krimit të organizuar është një sfidë për të gjithë dhe kjo konferencë sipas tij është një mundësi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.
“Tema e kësaj konference, lufta ndaj krimit të organizuar, është një sfidë e madhe për të gjithë ne. Krimi i organizuar është një gangrenë që gërryen shoqëritë tona. Ai na detyron të paguajmë kosto të mëdha, demokratike, sociale dhe ekonomike. Ky fenomen kriminal, nuk ka më karakter lokal apo thjesht ndërkufitar, ai është shndërruar në një fenomen global dhe, duke marrë karakter transnacional, ka treguar aftësi të mëdha adaptimi dhe zhvillimi ndaj ndryshimeve politike dhe shoqërore. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme e konsiderojnë Luftën Kundër Krimit të Organizuar si prioritet thelbësor”, tha Xhafaj.
Sipas Xhafajt kjo konferencë do të bëj të mundur gjetjen e mundësive sa më efikase për të goditur bashkarisht luftën kundër krimit të organizuar.
“Kjo konferencë ekspertësh në fushën e Krimit të Organizuar është një mundësi e mirë, për të gjetur alternativat më efikase për një përgjigje të përbashkët dhe të koordinuar ndaj krimit të organizuar. Ne kemi propozuar gjithashtu edhe nisma të tjera bashkëpunimi ndërkombëtar për luftën ndaj këtij fenomeni”, tha Xhafaj.
Sipas organizatorëve, përmes kësaj konference synohet të promovohet fuqizimi i bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese në vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër krimit të organizuar.
Qëllimi është ndërtimi i një platforme për zyrtarët e zbatimit të ligjit, për të diskutuar mbi krimin ndërkufitar dhe në mënyrë të veçantë mbi luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe për të vendosur një bashkëpunim më të ngushtë.
Pjesë e konferencës që vazhdon punimet sot dhe nesër janë përfaqësues nga institucionet e sigurisë dhe ekspertë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vendet e tjera të rajonit. Gjithashtu marrin pjesë edhe përfaqësues nga ambasada e Turqisë në Tiranë, prezencës së OSBE-së në Shqipëri etj.


