Tokë me ligjin 7501, shtohen edhe tri kategori që përfitojnë tapi

Mos i humb

Personat që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore, por që nuk jetonin në fshat, personat që jetonin në fshat, por që nuk kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe personat që kanë marrë me qira tokë bujqësore, por ajo nuk është pjesë e investimeve strategjike do të pajisen me tapi për tokën. Kushti i vetëm që duhet të plotësojnë të tri kategoritë është që të kenë pasur regjistrimin në gjendjen civile në fshat në 1 gusht të vitit 1991. Ky është ndryshimi i fundit që ka miratuar qeveria shqiptare në lidhje me kalimin e të drejtës mbi pronësinë për tokat bujqësore.

Në vendimin që është botuar në fletoren zyrtare, i cili iu jep të drejtë përdoruesve të tokës të kthehen në pronarë, thuhet se ” familjet bujqësore ose individët, të cilët përmbushin kushtet: janë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, por të mos kenë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo pronësi, në fshatin ku kanë pasur gjendjen civile më 1.8.1991; që e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë”-thuhet në vendim.

Për të marrë tapinë familjet bujqësore ose individët, të cilët përmbushin kushtin “nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, por të mos kenë përfituar më parë tokë bujqësore në përdorim apo pronësi dhe ata persona që e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.” Pronarë të tokës do të jenë edhe personat që kanë marrë me qira, në bazë të ligjit për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve e kullotave që janë pasuri shtetërore dhe akteve nënligjore në zbatim të tij ose ka kaluar në administrim të ministrisë përgjegjëse për çështjet e bujqësisë dhe zhvillimit rural, me destinacion dhënien me qira, sipas legjislacionit në fuqi. Afati për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve mbyllet në datën 31 dhjetor 2019.

Kalimi i pronësisë
Përfitojnë kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore, subjektet që plotësojnë, njëkohësisht, këto kushte: a) Kanë qenë legjitimuar për të përfituar tokë sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.255, datë fillim te gushtit 1991,nr.452, datë 17.10.1992, apo vendimeve të veçanta, pavarësisht nëse kanë ndryshuar vendbanimin pas datës 1.10.1992. Këtu përfshihen edhe subjektet, që, sipas informacionit të gjendjes civile, kanë ardhur me banim në territorin e ish-ndërmarrjeve bujqësore pas datës 1.8.1991 si dhe banorët jo punonjës të ish-kooperativave bujqësore; b) Nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë kooperative apo ndërmarrjeje bujqësore tjetër; c) Përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë paraqitur kërkesë pranë organeve kompetente për plotësimin me AMTP për tokat e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose janë pajisur me aktin e marrjes së tokës në përdorim; ç) Janë përdorues faktikë të tokës bujqësore.

Kriteret

Toka që kalohet në pronësi, pa shpërblim, duhet të përmbushë, njëkohësisht, këto kushte:

a) T’i përkasë një prej zërave të tokës bujqësore;
b) Të mos jetë pronë private e të tretëve;
c) Të mos u jetë dhënë në përdorim apo me qira të tretëve;
ç) Të mos jetë objekt i formave të kompensimit fizik, sipas ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar;
d) Të mos jetë zënë nga ndërtime pa leje, të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues;
dh) Të mos jetë objekt i investimeve strategjike, sipas ligjit nr.55/2015,”Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”;
e) Të mos jetë në përgjegjësi administrimi të institucioneve kërkimore-shkencore. Lista e këtyre pasurive vendoset në dispozicion nga ministria përgjegjëse për çështjet e bujqësisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit