Transformimi i FSK-së në ushtri, për Malin e Zi çështje e brendshme e Kosovës

Mos i humb

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, përmes rrugës ligjore, për Malin e Zi është një çështje e brendshme e Kosovës, deklaroi sot në Prishtinë, ministri malazez i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviç.

Pas takimit me ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha, e cili e priti me nderimet ushtarake, Boshkoviq tha se transformimi i kësaj Force në ushtri, është një çështje e brendshme e Kosovës dhe se Mali i ZI nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të fqinjëve.

“Ju e dini se Mali i Zi është një nga promovuesit më të mëdhenj të politikës së dyerve të hapura dhe integrimet në NATO duke mbështetur tjerët si dhe duke respektuar të gjitha mendimet e ndryshme që ekzistojnë në rajon. Nuk i takon Malit të Zi të thotë mendimin për këtë çështje, thjesht i respektojmë të gjitha ato vendime të shteteve sovrane, ndërsa Kosovën e konsiderojmë një vend sovran”, tha Boshkoviç.

Ministri malazez tha se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi janë në nivel të lartë me mundësi të avancimit, duke theksuar se ky është edhe qëllimi kryesor i vizitës së tij në Prishtinë “për të treguar se ne jemi një mik i sinqertë i Kosovës, se ne jemi një vend që dëshiron të transferojë të gjithë përvojën e tij të integrimit evropian dhe euroatlantik”.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, tha se ka informuar ministrin Boshkoviq për të arriturat e FSK-së, për të shtuar se në takim është biseduar edhe për ngritjen e nivelit të raporteve.

“Mali i Zi gjithmonë ka qenë dhe është një partner shumë i rëndësishëm për ministrinë e FSK-së, prandaj jemi të sigurt se edhe në të ardhmen do të jetë një partner shumë i rëndësishëm për ne. Falënderova ministrin për vizitën, por edhe për bashkëpunimin dhe angazhimin e Malit të Zi në bashkëpunimin rajonal”, tha Berisha.

Ministri Boshkoviq, më herët u prit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit