
Troja, ky qytet i lashtë është trajtuar në epose dhe legjenda të pafundme; është qyteti të cilin historia e përkufizon si “vatër e dashurisë, heroizmit dhe civilizimit”. Ky vendbanim i lashtë, i cili ndodhet në këmbët e malit Ida (Kaz), 4,5 km nga brigjet e ngushticës së Dardaneleve, ka një histori me rrënjë të thella deri në vitet 3.000 p.e.s.
Këto treva, teatër i Luftës së Trojës që Homeri i famshëm e trajton në poemën e tij epike “Iliada”, por edhe i betejave të shumta nga antikiteti e deri në Luftën I Botërore, i nxjerrin vizitorët në një shëtitje mijëravjeçare.
Këto treva, teatër i Luftës së Trojës që Homeri i famshëm e trajton në poemën e tij epike “Iliada”, por edhe i betejave të shumta nga antikiteti e deri në Luftën I Botërore, i nxjerrin vizitorët në një shëtitje mijëravjeçare.
Në malin Ida, pikërisht në këmbët e të cilit është ndërtuar Troja, sipas mitologjisë, është organizuar edhe konkursi i parë i bukurisë në botë. Pjesëmarrëset në këtë garë ishin perëndeshat Hera, Afërdita dhe Athina, ndërsa anëtari i vetëm i jurisë ishte Paridi. Të tria perëndeshat i propozuan atij gjëra të ndryshme. Hera i ofroi që ta bëjë mbretin më të fortë të Evropës dhe Azisë nëse do të zgjidhje atë. Athina i propozoi ta bënte mbretin më të zgjuar në botë dhe t’i dhuronte fitoren në luftën me Greqinë. Ndërsa Afërdita i propozoi gruan më të bukur në botë. Duke qenë se asokohe Paridi ishte një bari i thjeshtë, ai nuk deshi mbretëri e zgjuarsi, por gruan më të bukur në botë, kështu që zgjodhi Afërditën. Dhe justifikimi për të filluar Luftën e Trojës ishte pikërisht rrëmbimi i Elenës nga Paridi. Dy të dashuruarit arratisen në Trojë dhe në këtë mënyrë nis lufta gati 10-vjeçare ndërmjet akejve dhe trojanëve.
Duke qenë se asnjëra nga palët në Luftën e Trojës, e cila daton në vitet 1.180 p.e.s., nuk arriti të krijojë një epërsi të theksuar ndaj tjetrës, akejtë vendosën të bëjnë një dredhi, ide e Odiseut shumë të zgjuar dhe hileqar, mbret i Itakës. Ata i dërgojnë trojanëve një kalë të drunjtë në shenjë paqeje dhe nga ana tjetër bëjnë sikur tërhiqen nga lufta. Brenda kalit në fjalë fshihen komandantë dhe ushtarë të zgjedhur. I lodhur nga lufta e gjatë dhe i dehur nga festimet e paqes, populli i Trojës bie në gjumë. Pikërisht në këtë çast akejtë e fshehur në barkun e kalit të drunjtë dalin jashtë dhe hapin portat e qytetit. Pas një masakre të tmerrshme, ku Troja bëhet shkrumb e hi, qyteti kthehet në gërmadhë.
Troja është rindërtuar disa herë pas luftërave dhe fatkeqësive natyrore. Pozita e saj gjeografike e volitshme për vendbanim e ka bërë atë një zonë urbane mjaft popullore gjatë tërë historisë. Ajo filloi të humbasë përherë e më shumë rëndësinë e saj ekonomike dhe kulturore andej nga fundi i shekullit të 14-të.
Veçoria më e rëndësishme e Trojës është se qyteti ka plot 9 shtresa të ndryshme, që do të thotë se qyteti është shkatërruar e rindërtuar 9 herë. Këto 9 shtresa tregojnë një hark kohor të pandërprerë mbi 3.000-vjeçar dhe na mundësojnë të ndjekim gjurmët e qytetërimeve të asaj zone, madje dhe t’i kuptojmë ato.
Gërmimet e para arkeologjike në këtë qytet antik madhështor janë realizuar në vitin 1871. Si rezultat i gërmimeve që vazhduan edhe në vitet e mëpasshme, në dritën e diellit u nxorën shumë banja, teatri kolosal, gjetje të llojllojshme, thesaret e Trojës (thesaret e Priamit), një rrjet a sistem tepër i zhvilluar kanalesh për të mbledhur e drejtuar ujërat, si dhe themele të objekteve të ndryshme publike e administrative. Gërmimet arkeologjike për të zbuluar më shumë në këtë qytet antik të pasur dhe kompleks vijojnë ende sot e kësaj dite.
Ky vendbanim shumë i rëndësishëm i historisë së njerëzimit është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1998.
Nëse shkoni në rrethin Çanakala të Turqisë për të parë Trojën, ju sugjerojmë gjithashtu të vizitoni monumentet dhe varrezat e dëshmorëve, të cilat janë ndërtuar pas Luftës së Çanakalasë, ndër më të rëndësishmet e historisë botërore; të shikoni tempullin e Athinës në qytetin antik të Asosit, si dhe të ngjiteni në malin Ida për një shëtitje në natyrë.
Ishujt Gokçeada (Imbros) dhe Bozcaada (Tenedos) janë po ashtu dy zona turistike, të cilat ia vlen të shikohen, pasi janë mbresëlënëse me kulturën e tyre dhe bukuritë natyrore që ofrojnë.


