Trump: Duket sikur Rusia qëndron prapa sulmit ndaj agjentit Skripal

Mos i humb

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump tha se “me siguri duket sikur” Moska duhet të fajësohet për helmimin e ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe të bijës së tij në Britani.

Trump tha pas bisedës me kryeministren britanike Theresa May se “duket sikur” vlerësimi i qeverisë së saj është i saktë.

“Një situatë shumë e trishtuar” tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Diçka që kurrë nuk duhet të ndodhë dhe ne po e marrim shumë seriozisht, siç mendoj se janë duke e marrë shumë të tjerë”, shtoi ai.

Të mërkurën, Britania dëboi 23 diplomatë rusë në vazhdën e tensioneve me Rusinë lidhur me tentativën për vrasjen e ish-agjentit Sergei Skripal.

Skripal, 66 vjeç, dhe vajza e tij Julia, 33 vjeç, u pranuan në spital më 4 mars pasi u gjetën pa vetëdije në qytetin jugor britanik Salisbury.

Që atëherë, zyrtarët britanikë kanë theksuar se është “shumë e mundshme” që Moska të ketë qenë prapa sulmit të cilin ata e përshkruajnë si sulm kimik, pjesërisht për shkak se kanë gjetur se agjenti nervor i përdorur në helmim është nga grupi i armëve kimike Novichok të zhvilluara nga Rusia gjatë Luftës së Ftohtë.

Ndërkohë, edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau i është bashkuar grupit të vendeve që kanë dënuar helmimin.

“Sulmi është i neveritshëm dhe është e papranueshme të përdoren armë kimike kundër qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar”, tha Trudeau para gazetarëve.

“Përfshirja e mundshme e Rusisë është absolutisht e papranueshme dhe duhet të dënohet në mënyrën më të fuqishme”, tha ai.

Megjithatë, ndërkohë që dënuan aktin, Kanadaja nuk ka thirrur në sanksione të reja kundër Rusisë, siç ka bërë Britania.

Përmes një njoftimi mediatik, Ambasada Ruse në kryeqytetin kanadez Otava shprehu mospajtim me ministren e Jashtme Chrystia Freeland, e cila më herët gjithashtu dënoi sulmin.

“Na vjen keq për mbështetjen e nxituar të ministres të jashtme kanadeze ndaj akuzave të pabazuara dhe të papranueshme nga ana e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me rastin Skripal”, thuhej në njoftimin e ambasadës ruse.

Ndryshe, Skripal kishte fituar strehim në Mbretërinë e Bashkuar pas një shkëmbimi agjentësh në vitin 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai po vuante 13 vjet burgim për përçim informacionesh inteligjencës britanike./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit