Trump i bindur se do zgjidhet sërish President

Mos i humb

Vijon përballja e ish-Presidentit amerikan Donald Trump me gjyqtarët. Trump dhe kompania e tij akuzohen se kanë “fryrë” vlerat e aseteve të kompanisë për të siguruar hua të favorshme nga bankat. Të përfshirë në këtë aferë janë dhe dy fëmijët e Trump.

Një ditë pasi u rrëzua kërkesa e avokatëve të tij për ta lënë atë të flasë lidhur me mashtrimin financiar në New York, gjykatësi Arthur Engoron e lejon atë të parashtrojë argumentet, por më pas e ndërpret papritur.

Më poshtë janë zhvillimet më të fundit ligjore që përfshijnë ish-presidentin i cili pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi flet me siguri për një tjetër mandat këtë vit, për t’u zgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë:

Seancat më të fundit gjyqësore

11 Janar

Engoron e pyet Trump nëse do flasë shkurtimisht për çështjen. Trump përgjigjet: I nderuar, kjo çështje shkon përtej fakteve! Në këtë situatë, unë jam një njeri i pafajshëm, jam persekutuar nga dikush që kërkon karrige pushteti, prandaj edhe ju duhet të gjykoni në mënyrë objektive. Kjo është gjueti politike shtrigash! Kjo që po ndodh me mua është tradhti zotëri. Ata duan të sigurohen që unë s’do fitoj dot më në zgjedhjet elektorale. James e urren Trump dhe e përdor atë në mënyrë që të zgjidhet ai. Ju nuk keni durimin të dëgjoni më shumë se një minutë!

Pas kësaj fjale të shkurtër, gjykatësi i thotë: Kishit mundësinë t’i parashtronit argumentet ndryshe.

10 Janar

Pasi avokati i Trump, Christoper Kise refuzoi të pajtohej me kushtet e vëna prej gjykatësit Engoron, pasi ky i fundit kërkoi që ish-Presidenti të mos flasë lidhur me akuzat për mashtrimin financiar.

Sipas gjykatësit, Trump ka thyer etikën në komunikim madje paralajmëroi se nëse ai vijon kështu do gjobitet me të paktën 50 mijë dollarë. Avokati i ish-presidentit iu përgjigj: Ju nuk po lejoni Presidentin të flasë për gjëra të rëndësishme!

Engoron i prerë tha: Nuk debatoj më për këtë! Nuk ka më paralajmërime.

Theksojmë se Prokurorja e Përgjithshme Letitia James akuzon Trump se ka përfituar plot 370 mln dollarë në mënyrë të paligjshme për thuajse një dekadë. Ajo e ngriti padinë vitin e kaluar duke kërkuar që kjo shumë të kompensohet nga të pandehurit me pretendimin se ata kanë planifikuar gjithë këtë mashtrim të madh ndaj bankave të shtetit amerikan.

9 Janar

Paneli me 3 gjykatës u tregua mjaft skeptik ndaj argumenteve të Trump. Ata i cilësojnë këto të fundit si “fjalime fushate”.

6 Janar

Në sallën e gjyqit në Uashington, gjykatësit e Apelit rrëzuan pretendimet e avokatëve të Trump se ky i fundit kishte imunitet nga ndjekja penale pasi çështja e ngritur ndaj tij përkon me zgjedhjet e 2020-ës, kohë kur ai ishte President. Një nga gjykatësit iu drejtua avokatëve duke thënë: Pra ju mendoni se një President mund të kryejë shkelje të tilla, mund të urdhërojë njerëz të vrasin një rival politik?!

Ndërkohë avokatët e Trump besojnë se një vendim që kundërshton në mënyrë absolute imunitetin presidencial do t’i hapte rrugën një serie padish.

Megjithatë, beteja ligjore ndaj Trump duket se do shkojë gjatë. Edhe në rast se Gjykata e Apelit merr vendim kundër tij, çështja do i kalojë Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Pritet që ai të dalë para Gjykatës Fedrale më 4 mars të këtij viti edhe për akuza të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 2020-ës. Saga vijon më pas edhe me gjyqin ku ai do përballet me akuzat se ka  keqpërdorur dokumentet e klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Janë edhe 34 akuza që rëndojnë mbi ish presidentin amerikan Donald Trump nga një gjykatë e New York.

Në thelb të tyre janë falsifikimet në mënyrë të përsëritur përmes mashtrimit të të dhënave të biznesit në metropolin amerikan për të mbuluar krimet që fshihnin informacione të dëmshme nga publiku me të drejtë vote gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Përfshirë këtu edhe pagesën prej 130 mijë dollarësh të një aktoreje të filmave pornografikë, Stormy Daniels. Kjo e fundit ka rrëfyer në 2016 se kishte një lidhje jashtëmartesore me Trump, pa u bërë president i SHBA. Në atë kohë, avokati i Trump, Michael Cohen i pagoi 130 mijë dollarë Daniels që mos të fliste dhe e regjistroi pagesën si një transaksion financiar biznesi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit