
Gjithnjë e më shumë, operatorët turistikë po e kthejnë vëmendjen nga turizmi detar dhe aktivitetet e tij në Durrës. Në rajonin e detit Adriatik, volumin më të madh të lëvizjeve turistike dhe të ardhurave të siguruara prej tyre e mban Italia, e ndjekur nga Kroacia dhe Greqia, ndërsa në Shqipëri kjo industri është ende në hapat e para dhe pse burimet janë të shumta.
“Është kënaqësi se për herë të parë, pas shumë vitesh, filluan lëvizjet turistike me anije në bregdetin e Durrësit, gjë që ka munguar. Vite më parë kur unë punoja për temën time të doktoraturës për krocierat në Durrës, shumë ishin skeptikë dhe e shihnin Durrësin si të pamundur për produktin turistik të pjesës detare. Po Durrësi ka mundësi madje më shumë se pjesa jugore për shkak të afërsisë me pikat e tjera turistike të vendit duke filluar nga Apollonia, Berati, Tirana, Kruja, Kavaja e Lezha”, tha Brunilda Liçaj, eksperte turizmi.
Sipas statistikave të Autoritetit Portual Durrës që nga fillimi i këtij viti mbi 110 jahte turistike nga vende të ndryshme të botës e kanë përfshirë Durrësin në guidat e tyre. Lulëzimi i turizmit nga anijet shëtitëse, kroçerat dhe jahtet e huaja, që e kanë përfshirë Durrësin në destinacionin e tyre po nxit më shumë edhe operatorët turistikë vendas drejt turizmit detar.


